Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në seancën plenare të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Tivat të Malit të Zi.
Në fjalën e saj para udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, u.d. Presidentja Haxhiu theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të shihet si domosdoshmëri strategjike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, veçanërisht në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe shtimit të kërcënimeve hibride në Evropë dhe në rajon.
Ajo nënvizoi se përparimi i Kosovës duhet të njihet edhe në procesin e integrimit evropian, duke shtuar se më shumë se tri vjet pas aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është koha që Bashkimi Evropian të bashkohet rreth vendimit për statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.
“Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në meritë. Procesi i anëtarësimit ka fuqi transformuese për demokracinë, institucionet dhe ekonominë, prandaj është koha që Kosova të marrë hapin e radhës”, tha u.d. Presidentja Haxhiu.U.d. Presidentja Haxhiu po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve në rrugën evropiane, pa pengesa politike kur standardet e Bashkimit Evropian janë përmbushur.
Duke folur për sigurinë rajonale, ajo theksoi se sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor duhet të trajtohen me qartësi dhe përgjegjësi. Në këtë kontekst, u.d. Presidentja Haxhiu rikujtoi se pothuajse tri vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ende nuk ka drejtësi për policin e vrarë të Kosovës, ndërsa kryesi kryesor dhe grupi i tij paramilitar vazhdojnë të jenë të lirë dhe të mbrojtur nga Serbia.