Në një ceremoni zyrtare me tone institucionale dhe mesazhe për stabilitet shtetëror, Vjosa Osmani i ka dorëzuar detyrën presidentes kryeparlamentares Albulena Haxhiu, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë institucionale dhe rolit të grave në udhëheqje, raporton KosovaPress.
Osmani tha se është dëshirë e saj se prapë Kosovën ta udhëheq një grua, sepse sipas saj gratë tregojnë kujdes të veçantë ndaj institucioneve, por edhe për qytetarët e Kosovës.
Ajo theksoi nevojën urgjente për zgjedhjen e një presidenti të ri, duke paralajmëruar për rëndësinë e stabilitetit në një kontekst global të ndërlikuar.
“Shpresojmë që Kosova sa më parë ta zgjedhë Presidentin e ri, për të pasur stabilitet institucional, kur e gjithë bota po kalon kriza të mëdha. Kur unë kam ardhur në zyrë në nëntor të vitit 2020, kanë qenë rrethana të jashtëzakonshme, por po ju lëmë pas një punë të jashtëzakonshme. Por ajo që është më e rëndësishme, ne do të jemi në dispozicion, edhe unë dhe stafi im, çdo ditë, 24/7, për çdo informacion që ka nevojë vendi ynë. Sepse angazhimi për shtetin asnjëherë nuk është i lidhur me pozitat që mbajmë, dhe nuk do të jetë as tash. Për çka do që keni nevojë, do të jemi vetëm një thirrje larg. Ne kemi pasur një bashkëpunim të mirë edhe në të kaluarën, kur kemi qenë deputetë, edhe kur ju ishit ministre, si dhe në këtë periudhë kur ju u zgjodhët Kryetare e Kuvendit. Ne kemi pasur një ekip të jashtëzakonshëm që ka punuar pa ndalë, gjithmonë jashtë orarit të punës dhe me përkushtim ndaj popullit të Kosovës”, tha ajo.Nga ana e saj, Albulena Haxhiu falënderoi për besimin dhe punën e bërë, duke theksuar rëndësinë e integritetit në institucione
”Për Kosovën është e rëndësishme që të ketë njerëz me integritet të lartë moral dhe profesional, dhe që me çdo vendim ta kenë parasysh qytetarin e Kosovës. Në këtë rast, si Presidente, e kuptoj përgjegjësinë dhe Kushtetutën. Zotohem se do të veproj në bazë të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi. Uroj që sa më parë Kosova ta zgjedhë Presidentin, sepse rrethanat mund të krijojnë vështirësi nëse kjo nuk ndodh. Pra, me theks të veçantë, zgjedhja është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe mungesa e saj nuk është e mirë as për Kosovën dhe as për qytetarët, duke pasur parasysh punët që kemi para vetes”, tha Haxhiu.
Haxhiu u shpreh e vendosur për ta ushtruar detyrën me seriozitet dhe profesionalizëm, duke nënvizuar se bashkëpunimi institucional dhe përkushtimi i kabinetit do të jenë kyç për përballimin e sfidave në vijim.
Ndryshe, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, më 4 prill 2021, me 71 vota “për” zgjodhi presidente të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun.
Osmani u zgjodh pas raundit të tretë të votimit ku votuan 82 deputetë. 71 nga deputetët votuan për Vjosa Osmani-Sadriu, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kandidatin tjetër Nasuf Bejta nuk votoi asnjë deputet.