Vazhdon numërimi i votave të mërgatës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Vazhdon numërimi i votave të mërgatës
KQZ099
12/06/2026 - 09:48
Linku u kopjua

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat më të fundit lidhur me procesin e numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës, si dhe me vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit në 30 përfaqësi diplomatike, i cili ka filluar pasditen e 11 qershorit.

Sipas tij, deri më tani (e premte, 12 qershor 2026, ora 09:00) janë numëruar 13 nga 47 vendvotimet e përfaqësitë diplomatike. Më 6 qershor 2026, votimi u zhvillua në 30 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 27 mijë e 724 shtetas të regjistruar, kanë votuar 22 mijë e 860 apo 82.46 përqind. Këto fletëvotime janë në proces numërimi.

Paralelisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi përmes postës. Ky proces ka nisur pasditen e 9 qershorit dhe ka të bëjë me pakot që deri më tani janë sjellë në Kosovë.

“Deri në përfundim të ditës së enjte (11 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë rreth 42 mijë, prej të cilave janë aprovuar 40 mijë e 414, ndërkaq janë refuzuar 1 mijë e 447. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 1 mijë e 320 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha Elezi.

Ai ka bërë të ditur se arsyeja më e shpeshtë e refuzimit lidhet me mungesën e dëftesës së regjistrimit. Sipas tij, në 1 mijë e 320 raste pakoja është refuzuar për shkak se mungonte ky dokument, i cili përmban të dhëna unike dhe u dërgohet votuesve të regjistruar nga KQZ-ja.

KQZ ka sqaruar se procesi i vlerësimit synon të verifikojë nëse pakot janë dërguar nga votues të regjistruar. Pas përfundimit të këtij procesi, institucioni do të publikojë numrin përfundimtar të pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës. Tërheqja është realizuar nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.

Nga gjithsej 23 kuti postare janë tërhequr më shumë se 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime, ndërkaq, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 6 deri më 17 maj 2026, për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës janë regjistruar 104 mijë e 480 votues.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026