Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë për KosovaPress, se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituar. Përkundër faktit që kryeparlamentari Dimal Basha, në seancën e sotme, konstatoi konstituimin e legjislaturës së nëntë me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar nga komuniteti serb, Hasani thekson se procedura e zgjedhjes së Rashiqit për nënkryetar është “fund e krye, jokushtetuese”. Ai deklaron se nëse rasti dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ka bazë të fortë kushtetuese për kontestimin e zgjedhjes së sotme të Rashiq.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare thotë për KosovaPress, se edhe pse Rashiq është serb, nuk e përfaqëson komunitetin serb për qëllimet e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, nënkryetari serb duhet të propozohet nga partia që ka fituar shumicën e votave nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Sipas tij, përdorimi i mundësisë së shortit për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, bëhet vetëm atëherë kur nuk ka konsensus në mesin e komunitetit se kush nga deputetët e tyre duhet të propozohet.
Në lidhje me këtë, Hasani thotë se interpretimi që iu bë sot aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese “është bashibozukçe dhe çon, pa asnjë diskutim, drejt përjashtimit të serbëve lokalë nga shfrytëzimi i të drejtave të tyre kushtetuese.”
Intervista e plotë:
KosovaPress: A është konstituar Kuvendi i Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe rregulloren e Kuvendit?
Si e keni parë procedurën e zgjedhjes së Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës?
Hasani: Procedura e zgjedhjes së zotit Rashiq sot është, fund e krye, jokushtetuese. E tillë ka qenë edhe kur ai është zgjedhur ministër. Nëse askush nuk e dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese, zgjedhja e tij mbetet jokushtetuese, por kjo nuk pengon punën e Kuvendit. Nëse çështja e zgjedhjes së tij sot përfundon në Gjykatën Kushtetuese, është e vështirë që një zgjedhje e tillë të shpallet kushtetuese.
Hasani: Po. Ka bazë të fortë kushtetuese për kontestimin e zgjedhjes së sotme të zotit Rashiq. Kjo zgjedhje ka qenë skandaloze, fund e krye jokushtetuese. Ky interpretim që sot iu bë aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është bashibozukçe dhe çon, pa asnjë diskutim, drejt përjashtimit të serbëve lokalë nga shfrytëzimi i të drejtave të tyre kushtetuese. Rezultati final i kësaj politike është federalizimi i Kosovës. Autonomia e Ohrit e vitit 2023, me këtë politikë, po shndërrohet në federalizim të plotë të Kosovës.
KosovaPress: Zotëri Hasani, në rastin konkret, nëntë deputetë nga komuniteti serb nuk morën votat për nënkryetar të Kuvendit në gjithsej 27 tentime, tri herë secili. Përkitazi me këtë, si do të duhej të veprohej si mjet debllokues për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb? Kryeparlamentari Basha, duke u bazuar sipas tij edhe në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, propozoi si mjet debllokues hedhjen në short, por meqenëse ishte vetëm një kandidat, ai propozoi drejtpërdrejt zotëri Rashiq?