Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përkujtoi sot dëshmorët dhe martirët e Lugishtes së Hasit, duke e cilësuar këtë trevë si një ndër simbolet më të forta të rezistencës shqiptare ndër shekuj.
Përmes një postimi publik, Haradinaj theksoi se rajoni i Hasit ka qenë historikisht vend ku është shkruar historia e qëndresës, ndërsa kontributi i tij kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht Brigadës 126, e cila ishte në vijën e parë të betejave deri në ditën e fitores.
Ai kujtoi se luftëtarët e kësaj ane u përballën drejtpërdrejt me forcat armike, duke i dhënë goditje vendimtare para kapitullimit, ndërsa si hakmarrje, forcat shtetërore serbe ushtruan terror të egër mbi civilët.
Po ashtu, ai përkujtoi masakrën e Llashticës së Gjilanit në 27-vjetorin e saj, duke nderuar 26 martirët e rënë gjatë prillit të vitit 1999.
Haradinaj rikujtoi edhe krimet e kryera në disa zona të tjera të Kosovës gjatë të njëjtës periudhë, përfshirë vrasjet në Studenicë të Istogut, ku u ekzekutuan 9 shqiptarë – tetë nga familja Lipaj dhe një nga familja Zeqiraj – si dhe në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, ku u vranë shtatë anëtarë të familjes Zeka dhe dy të familjes Hoxha.