Haradinaj kujton heronjtë Zhitia dhe Fazliu: Nuk do të ndalemi për ta forcuar lirinë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua

Në 35 vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me bashkëpartiakë, aktivistë e familjarë, kanë bërë homazhe te varri i të rënëve, në Velani të Prishtinës.

Haradinaj pasi vendosi kurora me lule, tha se pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur për liri dhe pa mundin e gjithë e gjithë bashkatdhetarëve, nuk do ta arrihej liria.

“Nuk ndalemi asnjëherë për t’i nderuar dhe kujtuar. Vitet kalojnë por e vërteta mbetet e njëjtë, pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur për liri, pa mundin e gjithë e gjithë bashkatdhetarëve, gjithë atdhetarëve nuk do ta arrinim lirinë . Asnjëherë nuk kemi me u ndal për të besuar dhe forcuar lirinë tonë dhe çdoherë do të jemi të gatshëm për ta mbrojtur lirinë tonë. I përjetshëm kujtimi për heronjtë tonë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe të gjithë të rënët për liri”, tha ai.

Sot mbushen 35 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të kombit Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia nga komuna e Podujevës.

Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.

Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut do ta vazhdojë gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.

Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë më shokë dhe dënohet me katër vjet burg.

Kështu, më 2 nëntor, Afrimi dhe Fahriu, u rrethuan në lagjen Bregu i Diellit nga UDB-a serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, ku bien heroikisht dy atdhetarët.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024