Bashkimi Evropian ka thënë se procesi zgjedhor në Kosovë duhet të jetë transparent i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.
Sipas një komunikate të lëshuar nga BE thuhet se të gjithë kandidatët e kualifikuar duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës.
“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë nënvizuar në konkluzionet e Këshillit të 17 dhjetorit zhvillimet pozitive në Kosovë sa i përket kornizës zgjedhore, bazuar në rekomandimet e BE-së, para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Përderisa Kosova dhe qytetarët e saj gëzojnë një demokraci të gjallë, mos certifikimi i një partie politike për shkak të konsideratave politike dhe jo procedurave ligjore do të ishte një pengesë serioze. Të gjithë kandidatët e kualifikuar duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës. Procesi i certifikimit duhet të bazohet në standarde dhe procedura ligjore në përputhje me ligjin në fuqi, dhe jo në konsiderata politike. BE-ja thekson se procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”, thuhet në njoftim.
Derisa sot gjatë ditës KQZ-ja do të mbajë një mbledhje ku si pikë e rendit të ditës është zbatimi i vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për miratimin e rekomandimit të zyrës, për certifikimin e subjektit politik Srpska Lista dhe kandidatëve të këtij subjekti politik.