Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova "duhet t’i kthehet marrëdhënieve bilaterale me administratën Trump”.
“Nuk guxojmë të humbim kohë, besoj shumë që do të ishte lajm i keq nëse nuk do ta ndërronim qeverinë Kurti, për shkak se dështoi të punojë me administratën Biden. Duhet t’i kthehemi marrëdhënieve bilaterale me administratën Trump”, tha Haradinaj në një intervistë për Zërin e Amerikës, derisa po qëndron në Shtetet e Bashkuara ku mori pjesë në inagurimin e presidentit Trump.
“I kemi ofruar Amerikës përjetësisht lokacione, për përdorim ushtarak dhe civil, si Bondsteel dhe Film City, jemi të hapur për Aeroportin e Gjakovës, dhe Parku stërvitor në Babaj të bokës”, tha Haradinaj, transmeton KosovaPress.
Në 20 janar, Donald Trump ka marrë zyrtarisht detyrën si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.Të mërkurën më 22 janar, Presidenca e Kosovës tha se asnjë nga vendimet e deritanishme të Trumpit nuk e afektojnë tani për tani negativisht Kosovën.
Haradinaj kritikoi kryeministrin Albin Kurti i cili sipas tij ka dështuar të punojë me administratën e Joe Biden, e cila më 20 janar zyrtarisht e përfundoi mandatin.
Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim të marrëdhënieve që prej vitit 2011. Ky proces ka nxjerrë disa marrëveshje por pak prej tyre janë zbatuar.