Më shumë se 6 muaj pas skadimit të mandatit të Naim Qelajt si Avokat i Popullit, dhe ushtrimit të detyrës për gjithë këtë kohë nga ana e tij, Kuvendi i Kosovës e shpalli të premten e 10 prillit konkursin për këtë pozitë. Ai do të jetë i hapur deri më 29 prill.
E duke qenë se bëhet fjalë për një nga institucionet kyçe për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, njohës të fushës me të cilët bisedoi KosovaPress konsiderojnë me rëndësi që ky proces të finalizohet sa më parë. Kështu të paktën bënë thirrje profesori universitar Mazllum Baraliu
Vonesat në zgjedhjen e Avokatit të Popullit Baraliu i lidh më shumë me mungesën e vullnetit politik sesa procedurat ligjore, derisa e sheh të dëmshme praktikën që institucioni të drejtohet nga ushtrues detyre.
“Si një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, është me rëndësi që nuk kemi në mandat të plotë dhe kjo është pasojë e thjesht një mos-efikasiteti, një burokracie, nëse doni, të institucioneve kompetente të cilat janë të obliguara nga Kuvendi me radhë, deri te qeveria, për t'i udhëhequr, zhvilluar me kohë dhe brenda ligjit të gjitha procedurat e duhura në mënyrë që para se t'i kalojë mandati një zyrtari të rëndësishëm siç është avokati i popullit, në këtë rast, të zgjidhet tjetri në mënyrë që të ketë kontinuitet në ushtrimin e detyrës me mandat të plotë. Kjo mënyrë e ushtrimit të detyrës si ushtrues detyre, thjesht nuk e ka atë kapacitetin dhe efektin e plotë të duhur sikurse ai kur është në mandat ligjor dhe prandaj kjo mund të reflektohet edhe në nivelin dhe cilësinë e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve, të cilët për çdo ditë i drejtohen avokatit të popullit”, theksoi ai.
Edhe sipas tij kjo situatë lidhet më shumë me mungesë vullneti politik sesa me pengesa ligjore.
“Mos të harrojmë që këtu nuk ka përfunduar vetëm mandati i tij, por ka përfunduar mandati edhe i disa zëvendësve të Avokatit të Popullit dhe prandaj Kuvendi i Kosovës do të duhej ta kishte më prioritet, urgjent, unë mendoj, pas zgjedhjes së presidentit, duhet njëkohësisht që t'i zgjedhë edhe, edhe bartësit e institucioneve të pavarura kushtetuese, siç janë në këtë rast zyrtarët e Avokatit të Popullit. Arsyet që mund të çojnë, të themi ashtu, me moskryerjen e detyrave ose në rast se ka shumë raporte dhe shumë shkelje të të drejtave të njeriut, që mund të kenë edhe shumë ankesa të qytetarëve, kjo nuk është arsyeja që tani këta me u step edhe me mendua që ne jemi tashmë në detyrë dhe nuk kemi asnjë, asnjë funksion të ushtrimit të mandatit... Por, kjo pjesa tjetër pastaj, sa i përket pamundësisë së zgjedhjes së Avokatit të Popullit deri më tani, është, unë mendoj, krejt çështje e vullnetit politik dhe e përgjegjësisë politike që e kanë deputetët e Kuvendit të Kosovës”, deklaron ai.
Gjithsesi, i njëjti ligj, respektivisht neni 14 i tij, parasheh një zgjidhje të përkohshme.
“Në rast të përfundimit të mandatit, Avokati i Popullit apo zëvendësi i tij/saj do ta ushtrojë funksionin e tij deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit” – Ligji për Avokatin e Popullit.