Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, priti sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe domosdoshmërinë e tejkalimit të ngërçit institucional, thuhet nw komunikatwn pwr media.
Kryetari Hamza dhe eurodeputeti Terras vlerësuan se raporti i Parlamentit Evropian është një mesazh i rëndësishëm mbështetjeje për Kosovën, por njëkohësisht edhe një thirrje që vendi të mos humbasë më kohë për shkak të krizave të brendshme politike dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve.
Hamza theksoi se Partia Demokratike e Kosovës ndan shqetësimin e shprehur në raport lidhur me pamundësinë e krijimit të institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë.“Stabiliteti nuk duhet të nënkuptojë vetëm formimin e institucioneve, por edhe qeverisjen demokratike, dialogun politik dhe respektimin e Kushtetutës”, tha Hamza.
Sipas komunikatës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, shprehu mirënjohjen për rolin e eurodeputetit Riho Terras dhe të Parlamentit Evropian si mbështetës të fuqishëm të Kosovës dhe të aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.