Nisma e marrë nga një grup i politikanëve seniorë në LDK për shkarkimin e kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, po “përparon” me sukses.
Kështu të paktën pretendon një burim i afërt me grupin e “rebelëve”, i cili i ka thënë për KosovaPress se nënshkrimet e nevojshme të delegatëve për ta thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, në të cilën ky organ i Lidhjes Demokratike do të deklarohej për largimin ose jo të liderit aktual, janë siguruar.
Burimi në fjalë tha se tashmë po punohet në sigurimin e “50 plus 1” për qind të votave të delegatëev të Kuvendit, sa janë të domosdoshme në Kuvend, për ta shkarkuar kryetarin.
Ai ka thënë se pret që edhe këto nënshkrime të sigurohen, e pastaj të caktohet data për Kuvendin e Jashtëzakonshëm.Kërkesa për largimin e tij vjen pas pakënaqësive brenda kësaj partie në lidhje me rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.
Dega e Pejës, ajo e Lipjanit dhe një nga njësitë partiake të Prishtinës ishin të parat që fillimisht kërkuan dorëheqja e Abdixhikut. Ky i fundit, po atë ditë, la të kuptohet se nuk e lë pozitën në parti, duke ua kërkuar dorëheqjen pikërisht atyre që i thanë të lëshojë udhë në lidership të LDK-së.
Në përbërjen statutare të Kuvendit të LDK-së janë 355 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, duke përfshirë edhe kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku.