Dhuna në familje assesi nuk duhet të mbetet e izoluar brenda mureve të shtëpisë, kështu u tha në tryezën e organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) me temën “Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave: Politikat dhe avokimi, zbatimi dhe rruga përpara”. Përveç kësaj, aty u potencua se të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore kërkojnë mbështetje të përgjithshme.
Zëvendës-shefja e EULEX-it, Emily Rakhorst tha se mbi 80 për qind të viktimave të dhunës në familje vazhdojnë të jenë gra.
Rakhorst theksoi se të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore kërkojnë mbështetje të përgjithshme.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dhuna nuk është një çështje që prek individët, porse sipas saj “është një plagë sociale që prek familjet, komunitetet dhe shoqërinë”.Nënkoloneli, drejtor i Divizionit për Siguri Publike të Policisë së Kosovës, Arbresh Ajvazi tha se policia është ndër aktorët kyç për hulumtimin dhe parandalimin e kësaj dukurie shqetësuese, duke iu referuar dhunës në familje.
Ai potencoi se sipas të dhënave statistikore dhuna në familje po shënon trend në rritje, e cila kërkon një qasje profesionale dhe serioze.