Arrestime në veri për cenimin e përcaktimit të lirë të votës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona shkaku i cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve.
Katër të dyshuara femra kosovare janë arrestuar në Zubin Potok, për shkak se të njëjtat dyshohet se e kishin thirrur në telefon një person dhe i kishin kërkuar ta votojë një subjekt politik, në të kundërtën do t’ia ndalnin ndihmën sociale.
Kështu ka bërë me dije Policia e Kosovës në raportin 24 orësh derisa në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok i kanë bërë disa sekuestrime.
“Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit objektin e Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok janë sekuestruar një aparat telefonik dhe listat me emrat dhe numrat e personave që dyshohet se janë kontaktuar me qëllimin e njëjtë. Në konsultim me prokurorin pas intervistimit të dyshuarat janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim të policisë.
Poashtu në sheshin “Car Llazar”, në Mitrovicë të Veriut është arrestuar një person i cili i kishte thënë një personi tjetër se nëse nuk e voton një subjekt të caktuar do tia largojë vajzën nga puna.
“Është arrestuar i dyshuari/k, se i njëjti i kishte thënë ankuesit/k se nëse nuk e voton një subjekt të caktuar politik do ta largojë nga puna vajzën e ankuesit. Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar një llap-top dhe dy telefona. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, përfundon njoftimi.