Gjeorgjianët në rrugë, autoritetet dërgojnë forca speciale - rusët vëzhgojnë gjithçka
Bota
Lexohet për: 2 min.
Gjeorgjianët në rrugë, autoritetet dërgojnë forca speciale - rusët  vëzhgojnë gjithçka
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Protestuesit dhe policia janë përleshur në kryeqytetin e Gjeorgjisë Tbilisi për të katërtën natë radhazi për kundërshtimin e vendimit të qeverisë për t'i dhënë fund negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në vendin me 3.7 milionë banorë, tensionet janë rritur prej muajsh mes partisë qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane dhe atyre që e akuzojnë atë për zbatimin e një politike antiperëndimore dhe pro-ruse.

Kriza u thellua të enjten e kaluar pasi qeveria njoftoi se do të ngrijë negociatat me BE-në për katër vjet, duke bërë që mijëra protestues pro-evropianë të përplasen me policinë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.

Protestuesit u mblodhën sërish në Tbilisi sonte në rrugën qendrore Rustaveli.

"Unë jam këtu për një arsye shumë të thjeshtë, për të mbrojtur të ardhmen time evropiane dhe demokracinë e vendit tim," tha protestuesi Nikoloz Miruashvili.

Presidentja pro-perëndimore, Salome Zurabishvili, ka bërë thirrje për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese për të anuluar zgjedhjet e muajit të kaluar të fituara nga Ëndrra Gjeorgjiane. Edhe opozita edhe Zurabishvili thonë se zgjedhjet janë manipuluar.

Ëndrra Gjeorgjiane thotë se po vepron për të mbrojtur sovranitetin e vendit nga ndërhyrjet e jashtme.

Kremlini nuk ka komentuar ende zyrtarisht zhvillimet e fundit në Gjeorgji, por ish-presidenti Dmitry Medvedev, i cili tashmë është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse, tha në Telegram sonte, se Gjeorgjia "po lëviz me shpejtësi në rrugën e Ukrainës, në një humnerë të errët, dhe se zakonisht gjëra të tilla përfundojnë shumë keq."

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024