Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca për gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Në gjykatore të enjten janë paraqitur të akuzuarit Fitore Pacolli Dalipi, Salih Zyba dhe Drita Millaku. Ata akuzohen për ndezjen e bombolave të gazit lotsjellës më 21 mars 2018 rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40.
“Se tymi i përdorur nga zotëri Zyba, a hyn në grupin e armëve, andaj eksperti ka obligim që të jap mendimin dhe konstatimin lidhur me këtë çështje dhe assesi të bëjë interpretim të dispozitave ligjore dhe të tregon se a është fajtor. Ne si mbrojtës konsiderojmë se ai tym që është përdorur në sallën e parlamentit, është përdorur vetëm për të arritur një qëllim politik, për të pamundësuar që të merret një vendim nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, i cili vendim ka qenë i dëmshëm për vendin tonë, ku në bazë të atij vendimi vendit tonë do t’i merret 25 për qind e territorit. Konsideroj se veprimi politik nuk është vepër penale”, ka thënë avokati i Zybës.
Tutje, para trupit gjykues ai tha se “aktakuza mbështetet edhe në prova të pabazuara”.
“Në këtë drejtim, aktakuza mbështetet edhe në prova të pabazuara, duke filluar prej raportit të ekspertit të IJD-së. Në këtë drejtim edhe pse kemi të bëjmë me raport, i cili në këtë rast propozohet në cilësi të ekspertizës, nuk mund të kemi ne ekspertizë që është kryeprovë në çështje juridiko-penale derisa mund të propozohet dëgjimi i ekspertit ose i përpiluesit të raportit në këtë rast, për çka është obligim i prokurorisë që të dëshmojë fajësinë edhe normalisht që t’i mbështes provat që i ka propozuar. Në këtë drejtim, nëse Prokuroria nuk propozon dëgjimin e të njëjtit, i mbetet mbrojtjes të propozojë të njëjtin, edhe pse ky është paradoks juridik sepse po propozohet nga ne që të dëshmojnë pafajësinë e jo Prokuroria të dëshmojë fajësinë”, ka thënë ai.
Kjo kërkesë e avokatit është refuzuar edhe nga trupi gjykues.
“Sa i përket raportit 04/2-1I/023/2019 i propozuar si raport ekspertimi duhet të shpallet si provë e papranueshme dhe të veçohet nga shkresat e lëndës si provë e paartikulueshme në kuptim të nenit 19, për shkak se nuk dihet kush e ka përpiluar këtë raport, për çka nëse edhe lexohet si provë do të na i pamundësojë propozimin e përpiluesit, në cilësi të dëshmitarit apo ekspertit, provë kjo që do të ishte shfajësuese apo do të dëshmojë paqëndrueshmërinë e provës. Sa i përket vendimit të kryesisë së kuvendit, i njëjti nuk mund të shërbejë si provë për shkak se kryesia e kuvendit nuk është organ kompetent për të vlerësuar elementet e veprës penale, për çka natyrisht se edhe jemi paraqitur para gjykatës”, tha ai.
Vërejtje për deklarimet e prokurorisë pati edhe i pandehuri, Salih Zyba.
Edhe ai, njëjtë si avokati, tha se lënda nuk ka ekspertizë.. I akuzuari, Salih Zyba e quajti prokurorinë e asaj kohe si “të kapur”.
“Kur është ekspertizë ose grup profesionale, kam kënaqësinë dhe obligimin që të komunikojë me ta, jo me akuza të prokurorisë së kapur në atë kohë, e cilësojë, jo me mediume të pambikëqyrura, jo profesionale dhe këtij aktiviteti në kuvend i ka paraprirë qëndrimi, aktivitete publik dhe politik dhe simbolik dhe njëherësh duke u bazuar në dokumentet zyrtare shtetërore një ekspertizë sa i përket cilësimit të përkufizimit të rolit të detyrave të deputetit apo siç e cilësojë ligjvënësi më herët”, tha ai.
“Kërkoj nga gjykata që t’ia tërheq vërejtjen të pandehurit Salih Zyba për mënyrën siç i referohet institucionit të Prokurorit të Shtetit. Sa i përket kontestimit të raportit të ekspertit është bërë... ky raport përmban të gjitha elementet të cilat duhet t’i përmbajë një raport, unë dëgjova me vëmendje kërkesën e të pandehurit Salih Zyba, i cili theksoi se në raport duhet të ceket prejardhja e këtyre armëve. Raporti e përmban këtë informatë”, tha ai.
Avokatët kanë propozuar që të shikohen video-incizimet nga data kur pretendohet se është kryer vepra penale, me të cilën ngarkohen të pandehurit.