Supremja ia “lë” PDK-së sheshin “Skenderbeu”, e refuzon ankesën e VV-së
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Supremja ia “lë” PDK-së sheshin “Skenderbeu”, e refuzon ankesën e VV-së
Gjykata Supreme4321
29/05/2026 - 15:48
Linku u kopjua

Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për refuzimin e kërkesës së VV-së për mbajtjen e një tubimi politik në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për zgjedhjet e 7 qershorit.

Në këtë ankesë thuhej se kërkesa e PDK-së e 30  prillit 2026 nuk mund të krijonte përparësi procedurale, pasi në atë kohë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë ende nuk ishte konstituar.

Njoftimi i plotë:

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.7/2026, të datës 22.05.2026.

Ankesa kishte të bënte me refuzimin e kërkesës së subjektit politik LVV për mbajtjen e një tubimi politik në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të planifikuara të mbahen më 07 qershor 2026.

Në ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, LVV kishte pretenduar se PZAP ka zbatuar gabimisht nenin 4 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se vendimi i këtij institucioni është i mangët në arsyetim, duke theksuar se kërkesa e subjektit tjetër politik, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e datës 30.04.2026, nuk mund të krijonte përparësi procedurale, pasi në atë kohë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) në Prishtinë ende nuk ishte konstituar.

Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe të gjitha shkresave të lëndës, Gjykata Supreme vlerësoi se ankesa është e pabazuar dhe se vendimi i PZAP-së është i drejtë, i ligjshëm dhe i mbështetur në dispozitat përkatëse të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës dhe Deklarimin Financiar.

Gjykata Supreme konstatoi se Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë kishte vepruar në përputhje me nenin 4 të Rregullores Nr. 07/2024, sipas të cilit KKZ mund të refuzojë kërkesën e një subjekti politik në rast se hapësira e kërkuar është rezervuar më parë nga një subjekt tjetër politik.

Nga shkresat e lëndës rezulton se subjekti politik PDK kishte dorëzuar kërkesën për mbajtjen e tubimit politik në Sheshin “Skënderbeu” më 30.04.2026, ndërsa LVV kishte paraqitur kërkesën më 08.05.2026, për të njëjtën datë dhe lokacion. Gjykata vlerësoi se Rregullorja Nr. 07/2024 përcakton vetëm afatin e fundit për paraqitjen e njoftimeve për tubime politike dhe nuk parasheh kufizime lidhur me kohën e paraqitjes së kërkesave para funksionalizimit të KKZ-së.

Po ashtu, Gjykata Supreme vlerësoi se pretendimet e LVV-së lidhur me mungesën e arsyetimit të vendimit të PZAP-së janë të pabazuara, pasi PZAP kishte trajtuar në mënyrë të mjaftueshme çështjen e funksionalizimit të KKZ-së dhe kishte dhënë arsye të qarta juridike mbi bazën e dispozitave të zbatueshme.

Si rrjedhim, Gjykata Supreme konstatoi se gjendja faktike është vërtetuar drejt, se nuk janë konstatuar shkelje procedurale apo zbatim i gabuar i ligjit dhe se pretendimet ankimore të subjektit politik LVV nuk janë mbështetur me prova relevante. Ndaj, ankesa u refuzua si e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është lënë në fuqi.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026