51 raste të armëmbajtjes pa leje në veri, Policia s’e përjashton të ketë sasi të tjera armatimi
Tema
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
51 raste të armëmbajtjes pa leje në veri, Policia s’e përjashton të ketë sasi të tjera armatimi
kallash
18/07/2026 - 11:35
Linku u kopjua

Gjetja e armëve në shtëpi të braktisura në komunat veriore vazhdon të jetë pjesë e aksioneve të Policisë së Kosovës. Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë identifikuar 51 raste të armëmbajtjes pa leje.

Zëvendëskomandanti i Policisë në rajonin e veriut, Veton Elshani, Elshani vlerëson se nuk ka rritje të rrezikshmërisë në veri.

“Në këtë gjashtëmujor kemi 51 raste të identifikuara të armëmbajtjes pa leje, me 18 të dyshuar. Pjesën tjetër të të dyshuarve ende nuk i kemi identifikuar, por kjo nuk tregon se kemi ndonjë ngritje të rrezikshmërisë në veri të vendit. Kjo më shumë tregon se kemi bashkëpunim të mirë me qytetarët e veriut”.

Policia e Kosovës nuk e përjashton mundësinë që në veri të vendit të ketë ende sasi të tjera armatimi, por se çdo informacion i pranuar trajtohet dhe pasohet me reagim nga institucionet e sigurisë, thotë Elshani.

Elshani bëri të ditur se për një pjesë të rasteve policia ka arritur të identifikojë personat përgjegjës, ndërsa për raste të tjera hetimet vazhdojnë për gjetjen e pronarëve të armëve apo të të dyshuarve.

Zëvendëskomandanti i Policisë për rajonin e veriut njoftoi se gjatë aksioneve të Policisë në veri janë gjetur lloje të ndryshme armësh

Ndërsa, gazetari serb Branislav Krstiq vlerësoi se çështja e armatimit në veri të Kosovës duhet të shihet në një kontekst më të gjerë, duke ngritur pyetje se si dhe nga kush është siguruar ky armatim dhe pse nuk është realizuar një proces i organizuar çarmatimi.

Ai tha se qytetarët në veri të Kosovës nuk kanë arsye të ndihen të pasigurt për shkak të sasive të armëve që janë gjetur apo që mund të ekzistojnë ende, duke u bazuar, sipas tij, edhe në raportet e Policisë së Kosovës për mungesën e incidenteve të armatosura në këtë pjesë të vendit.

Ai vlerësoi se armatimi i gjetur në veri të Kosovës mund të ketë prejardhje të ndryshme, duke theksuar se një pjesë mund të jetë trashëgimi nga periudhat e mëhershme, ndërsa armët e prodhimit më të ri kërkojnë hetim më të thellë nga institucionet e sigurisë.

Gjetja e armëve në veri të Kosovës mbetet një çështje që trajtohet nga institucionet e sigurisë, ndërsa Policia e Kosovës thotë se vazhdon të reagojë në çdo rast kur pranon informacione për armatim të fshehur. Derisa autoritetet vlerësojnë se situata e sigurisë nuk është përkeqësuar, njohësit e zhvillimeve në veri theksojnë rëndësinë e identifikimit të origjinës së këtyre armëve dhe të mundësisë së ekzistimit të sasive më të mëdha të armatimit.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026