Ish-veteranë dhe qytetarë nga shumë vende të botës kanë nis të mblidhen në Hagë, në protestën e thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Protesta pritet të nis në orën 14:00 dhe nuk do të mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, sepse kjo nuk është lejuar për shkaqe të sigurisë, por vetëm në afërsi të saj. Protesta është paralajmëruar të jetë madhështore për shkak të interesimit të madh të shqiptarëve nga vende të ndryshme të botës.
Disa autobusë janë nisur edhe nga Kosova.
Kjo protestë, përmes së cilës kërkohet drejtësi, vjen vetëm një ditë para se të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.
Ajo çka pritet janë rreth 11 dëshmitarë të mbrojtjes së Thaçit më sallën e gjyqit, dhe dy të tjerë të Krasniqit dhe dëshmitë e tyre synohet të jepen në seanca të hapura.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.
Kujtojmë se aktakuza ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, ishte konfirmuar vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
Ky proces që konsiderohet i tejzgjatur tashmë duket se është drejt fundit dhe ka hyrë në fazën më të rëndësishme të tij. Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.
















