Në orët e hershme të mëngjesit në dy aksione në lokacionet në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq u arrestuan gjashtë persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Njoftimi i plotë:
Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar (6) persona me inicialet F.S., L.R., N.S. A.I., A.Sh., dhe B.B. prej 48 orësh, për shkak se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprave penale: ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘’Keqpërdorimi i informatës zyrtare’’, nga neni 416 të KPRK-së, ‘’Mashtrimi’’, nga neni 323 të KPRK-së, ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’, nga neni 395 të KPRK-së, ‘’Deklarimi i rremë nën betim’’, nga neni 383 të KPRK-së, ‘’Marrja e ryshfetit’’, nga neni 421 , ''Dhënia e ryshfetit'' nga neni 422 të KPRK-së, ‘’Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit’’, nga neni 194 të KPRK-së‘’, si dhe ‘’Shkelja e fshehtësisë së procedurës’’, nga neni 392 të KPRK-së.
Në kuadër të këtij aksioni, Prokurori i Shtetit ka sekuestruar: dy (2) vetura në vlerë rreth 80.000 euro, një (1) orë dore të markës Rolex në vlerë afro 8000-10.000 euro, pesë (5) telefona celularë, si dhe dokumente të tjera të cilat do të shërbejnë si prova materiale në këtë procedurë penale.Prokuroria Themelore në Prishtinë, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.