Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur, të hënëns, se në 70-vjetorin e lindjes së Heroit Sali Çekaj, ka nënshkruar vendimin për aktin nënligjor që rregullon ndarjen e çmimit me emrin e tij.
Sipas saj, çmimi “Sali Çekaj” dedikohet për personalitetet që kanë dhënë kontribut të veçantë në fushën e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Sipas saj, përkushtimi i Çekajt për lirinë e vendit dhe angazhimi i tij profesional e bëjnë atë një figurë frymëzuese për brezat e juristëve në Kosovë.
“Figura e Sali Çekajt, krahas figurës së komandantit të UÇK-së dhe politikanit vizionar, me përkushtim të parezervë për lirinë e vendit deri në flijim në ballë të frontit, rrezaton edhe si figurë e një juristi të rrallë, të guximshëm, mendjemprehtë e të vendosur. Figurë që frymëzon breza e breza juristësh në vendin tonë”, ka deklaruar Gërvalla, transmeton KosovaPress.Komandant Sali Çekaj, që u vra më 19 prill 1999 në krye të detyrës, në Koshare, si komandant i Brigadës 134, konsiderohet si njëri ndër strategët më të shquar të luftës së Kosovës.
Veprimtaria e tij atdhetare kishte nisur shumë kohë më herët, si brenda Kosovës, e po ashtu edhe në ekzil, më pastaj, nga ku ishte kthyer për të veshur uniformën për për t’iu bashkuar luftës për liri.