Gërvalla: Ne e mposhtëm dhe e përzumë Milan Radoiçiq nga Kosova
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kreu i Partisë Guxo, njëherësh shefja e diplomacisë së vendit Donika Gërvalla e ka quajtur tepër të rëndësishme punën e kësaj partie në qeverisjen aktuale në luftimin e krimit e korrupsionit, si dhe në përballjen me sulmin terrorist në Banjska, pas të cilit terroristi Milan Radoiçiq u detyrua të largohej nga Kosova.

Ajo tha se kanë mposhtur Radoiçiq dhe bandën e tij kriminale, teksa ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për bashkëpunim të qeverisjes aktuale me autorin e sulmit terrorist të 23 shtatorit.

"Kur e morëm detyrën, Kosova nuk ishte kjo që është sot dhe kontributi i Guxo në këtë drejtim ka qenë shumë i çmuar, esencial, por rruga për sovranitetin, zhvillimin, demokratizimin, njohjen e Kosovës ende do të kërkojë punë, sakrificë, vullnet të hekurt, konsistencë dhe shumë guxim, rruga ende do të vazhdojë të jetë e gjatë, dhe ende kërkon të ngjeshim radhët, të punojmë fort, me nder, sepse vështirësitë, sulmet e sfidat nuk po pushojnë dhe nuk do të pushojnë. Përkundrazi, gjatë ditëve, javëve dhe muajve, të ardhshëm ka shenja se do të intensifikohen edhe më tej sfidat dhe do të ashpërsohen. Si shembull më lejoni të përmend vetëm fushatën e javëve të fundit, që udhëhiqet nga opozita e nga një pjesë e medias dhe jeta publike mediale, jo vetëm e Kosovës, por që ushqehet dhe me gjasë ngjizet dhe orientohet nga akterë tjerë të luftërave klasike hibride, dhe çfarë ka për synim kjo fushatë e fundit, që nuk do të jetë e fundit e luftës hibride ndaj qeverisë së 14 shkurtit dhe ndaj Kosovës së re e sovrane që po frymon? Qëllimi kryesor është fokusi i përbaltjes së javëve të fundit dhe ai portretizohej duke e cilësuar qeverinë tonë dhe frymën tonë si bashkëpunëtore të Radojiçiqëve të tjerë kundër sovranitetit të Kosovës. Por, unë e di, ju e dini që këtë nuk e beson as fëmija në djep", tha Gërvalla.

Ministrja Gërvalla ka thënë se për dallim nga qeveritë e kaluara, me qeverinë e 14 shkurtit, Radoiçiq dhe të tjerëve iu janë mbyllur rrugët e kontrabandës.

"Më lejoni të përmend disa fakte, me qeveritë e partive të tjera, Radoiçiq dhe të tjerët si ai, pritnin për t'u bërë ortakë në qeveri dhe biznes, priteshin në shtëpi dhe zyre si mysafirë, organizonin të papenguar rrjetin e sofistikuar të të gjitha llojeve të krimit të organizuar dhe rrihnin për pikë të qejfit qytetarët e pafajshëm, madje edhe zyrtarët policorë, por edhe zyrtarë të institucioneve tona. Të kalojmë në vitin 2024, si është sjell kjo qeveri me Radoiçiq dhe të tjerët si ai. E kemi mundur në Banjskë, e kemi përzënë nga Kosova, i kemi konfiskuar asetet e tij ekonomike, ja kemi konfiskuar vilën, veturat dhe gjitha të tjerat, e kemi izoluar në Serbi, jemi kujdesur që të hyjë në lista të zeza, dhe që ai të jetë në listën e Interpolit me ngjyrë të kuqe në kërkim. Me qeverinë tonë të 14 shkurtit, Radoiçiq dhe të tjerëve iu janë mbyllur rrugët e kontrabandës", ka shtuar Gërvalla.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024