Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) sonte doli me detaje të reja për inspektimin në Qumështoren “Vita” në Istog.
AUV sqaron se në këtë fazë nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e subjektit.
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes inspektorëve të saj, ka realizuar një inspektim të jashtëzakonshëm në një subjekt që merret me përpunimin e qumështit dhe prodhimin e produkteve të qumështit, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së aktivitetit me kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore.Në bazë të verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit dhe inspektimit të linjave të prodhimit, janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi.
Është evidentuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse. Po ashtu, subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme.
AUV sqaron se në këtë fazë nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e subjektit. Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
AUV rithekson se mbrojtja e shëndetit publik dhe siguria ushqimore mbeten prioritet institucional, ndërsa çdo operator është i obliguar të veprojë në përputhje me ligjin. Rezultatet laboratorike dhe procedurat e mëtejshme do të përcaktojnë veprimet përfundimtare të autoriteteve kompetente.