Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë sot 104-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA u vendosën më 28 korrik 1922, pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Woodrow Wilson mbështeti të drejtën e shqiptarëve për të ruajtur integritetin territorial të vendit.
Këto marrëdhënie u ndërprenë për 52 vjet, gjatë pushtimit italian dhe më pas regjimit komunist, për t'u rivendosur më 15 mars 1991, pas rrëzimit të sistemit komunist dhe fillimit të tranzicionit demokratik në Shqipëri.
Ndërkaq, ambasadori i parë shqiptar në Uashington ishte Faik Konica, i emëruar në këtë detyrë në vitin 1929 nga Mbreti Ahmet Zogu. Konica konsiderohet një prej figurave më të rëndësishme të diplomacisë dhe kulturës shqiptare, duke luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
Gjatë më shumë se një shekulli, marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë zhvilluar në fusha të ndryshme, duke përfshirë sigurinë, mbrojtjen, ekonominë, drejtësinë, arsimin dhe zhvillimin demokratik. Shtetet e Bashkuara kanë qenë një nga partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë, duke mbështetur reformat institucionale, integrimin euroatlantik dhe modernizimin e vendit.