Sami Lushtaku dhe shtatë të akuzuarit tjerë lirohen nga akuza për krim të organizuar
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Sami Lushtaku dhe shtatë të akuzuarit tjerë lirohen nga akuza për krim të organizuar
754824162_1336030818729679_8835918120625202424_n
28/07/2026 - 13:51
Linku u kopjua

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe të akuzuarit Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani dhe Sheremet Jashari, në rastin ku akuzoheshin për krim të organizuar dhe frikësim të dëshmitarëve të mbrojtur në rastin “Drenica 1”, janë liruar nga aktakuza, raporton KosovaPress.

Kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska, dha edhe arsyetimin për lirimin nga aktakuza të tetë të akuzuarve.

Ai tha se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka gjetur asnjë provë bindëse me të cilën do të vërtetohej fajësia e të pandehurve në këtë rast.

“Nuk i ka vërtetuar asnjërën nga provat relevante mbi të cilat është ndërtuar kjo aktakuzë. Me theks të veçantë, kjo gjykatë e vlerësoi dëshminë e dëshmitarit të emërtuar si Dëshmitari C, ku i njëjti e mohoi kategorikisht se të pandehurit kanë ndikuar tek ai për ndryshimin e deklaratës së një personi tjetër. Gjykata nuk gjeti asnjë provë bindëse me të cilën do të vërtetohej fajësia e të pandehurve në këtë rast”, tha ai.

Në pikat e tjera të aktakuzës, në këtë rast ishin përfshirë edhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sahit Jashari, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gëzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hedhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se nuk kishte parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për aprovimin e kërkesave. Ky aktvendim ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2018.

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020, kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe të tjerëve nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për arratisjen nga QKUK-ja, gjykata e kishte liruar Lushtakun nga akuza, ndërsa e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera, të ndodhura më 21 gusht 2015 dhe 22 shtator 2015.

Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romulo Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, për disa vepra penale që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK-ja. Të akuzuarit ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës” dhe në QKUK kishin shkuar për të marrë shërbime mjekësore për shkak të problemeve shëndetësore.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026