Rritje të pagave, projekte kapitale, mbështetje për gratë, siguri energjetike e armatim modern për ushtrinë, janë disa nga zotimet e partive politike që i thanë të martën në tubimet e mbajtura me qytetarë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, foli nga Theranda prej ku tha se mandatin e ardhshëm do të kenë program superpuna për gratë, ndërkaq përsëriti zotimin për pagë minimale mbi 500 euro.
“Mandatin që e kemi pas 9 shkurtit, përqendrimi ynë do të jetë pikërisht në ndërtimin e asaj autostradës Duhël-Banullë, dhe në këtë mënyrë padrejtësia që e i është bërë Suharekës do të korrigjohet me këto rrugë të reja, me këtë autostradë të re. Në Therandë e kemi edhe një projekt tejet të rëndësishëm, e ai është projekti i digës së Dragaqinës, rëndësinë e këtij projekti askush në Kosovë nuk e di më mirë së ju vet, e ai do të jetë në mesin e 5 rezervuarve të ujit që do t’i ndërtojmë gjatë qeverisjes së re në mandatin e ardhshëm. Pra, Suhareka do të bëhet edhe me autostradë edhe me digë të re, që sigurojnë edhe qëndrueshmëri edhe zhvillim”, tha Kurti.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim në Klinë ku kandidati për kryeministër, Bedri Hamza premtoi përfundimin e autostradës për Pejë.“Projektet kapitale, kam premtu mbi 6 miliardë euro për një mandat 4-vjeçar, në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, furnizimin me ujë, projektet e tjera transformuese, që do ta ndryshojnë Kosovën. Do të përfundohet përfundimisht rruga prej Prishtinës deri në Pejë, linjat hekurudhore Prizren – Klinë dhe Pejë – Klinë, që vazhdojnë në drejtim të Fushë Kosovës, do të jenë të modernizuara dhe gjithandej Kosovës do të ketë projekte. Na nuk jemi ata që ndajnë, na jemi ata që bashkojmë”, Hamza.
Kryetari i Lidhjes Demokratike dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, pas tubimit në Fushë Kosovë tha se këto zgjedhje “janë refuzim kategorik ndaj dështimit të shtetit”.
“Kur kemi folur ne për dyfishim të pagave, në fillim janë trem’ krejt, tani e keni parë që na kanë zënë gati, kanë nisur me 50, me 70 për qind, edhe pak kanë me thënë qind për qind që i bjen dyfishim. Në çka jam bazur unë me thënë që kanë me u dyfishuar pagat në Kosovë. Së pari matjet buxhetore, së dyti, e kam ditur se duhet me nda më shumë para për paga sepse janë tri shtylla ku shkon buxheti, pagat, mallrat shërbimet, dhe janë pa investimet kapitale, projektet. Ekziston mundësia një pjesë të madhe të projekteve tona mos me investu direkt prej buxhetit, duhet me kthy ligjin për investime strategjike, dhe duhet me kthy partneritetin publiko privat”, tha Haradinaj.