Friedl: Është mirë që Kosova ka udhërrëfyes për ekonominë qarkore, por duhen edhe veprime
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Friedl: Është mirë që Kosova ka udhërrëfyes për ekonominë qarkore, por duhen edhe veprime
Herald Friedl
15/05/2026 - 12:27
Linku u kopjua

Ekonomisti i ekonomisë qarkore dhe përfaqësuesi i Këshillit Gjerman për Ndërtime të Qëndrueshme (DGNB), Herald Friedl, tha të premten në Prishtinë se ekonomia qarkore paraqet mundësi të madhe për transformim ekonomik dhe industrial edhe në Kosovë, sikur në Evropë.

Dhe kjo, sipas tij bëhet duke kërkuar kalim nga modelet lineare drejt atyre rigjeneruese.

Komentet ai iu bëri në Forumin 2026 të mbajtur nga Fakulteti i Inxhinierisë Civile të Universiteti i Prishtinës, i organizuar në bashkëpunim me Këshilli i Ndërtimit të Gjelbër të Kosovës (KGBC), me fokus në transformimin e sektorit të ndërtimit nga modeli linear në atë qarkullues dhe të qëndrueshëm.

Friedl theksoi se riciklimi nuk duhet të ngatërrohet me ekonominë qarkore, pasi sipas tij, qarkullimi fillon me rimendimin dhe ridizajnimin e sistemeve.

Duke folur për Kosovën, Friedl vlerësoi potencialin e vendit për t’u bërë lider në ekonominë qarkore në rajon, për shkak të popullsisë së re dhe perspektivës evropiane.

“Unë gjithashtu lexova udhërrëfyesin tuaj për ekonominë qarkulluese në Kosovë që ekziston aktualisht, duke parë pikat e forta dhe të dobëta. Gjeta gjëra që nuk janë të pazakonta kur studiohet kjo. Mendoj se ka shumë pika për përmirësim. Është e mrekullueshme që Kosova ka një udhërrëfyes, natyrisht shumë mirë. Një lloj momenti politik është i mirë, por gjithmonë duhet të lëvizet nga diçka që është thjesht një udhërrëfyes drejt një plani veprimi. Sepse një udhërrëfyes, siç e dini, janë thjesht fjalë të rreshtuara në një copë letër.”

Ai tha se janë vetëm veprimet ato që sjellin rezultate.

“Kushdo që ka fuqi të sigurohet që ne të mund të ushtrojmë presion në Kosovë, në mënyrë që t’i bëjmë njerëzit të lëvizin nga ideja te plani i realizimit, nga udhërrëfyesi te plani i veprimit, le të punojmë të gjithë së bashku për këtë. Mendoj se në ndërtim, duhet të përcaktohet për sektorin një vizion real dhe i qartë se ku dëshironi të shkoni, dhe të gjendet forumi ku të gjithë palët e interesuara janë të koordinuara, ky është hapi tjetër më urgjent. Ndryshe, nëse nuk e organizoni këtë, nuk ka për të ndodhur”, tha ai

Në fjalimin e tij, ai foli edhe për rolin e inteligjencës artificiale dhe robotikës në transformimin e industrisë së ndërtimit dhe riciklimit.

Sipas tij, teknologjitë e reja tashmë po përdoren për çmontimin e ndërtesave dhe klasifikimin e materialeve përmes robotëve dhe sensorëve inteligjentë.

“Tani kanë disa robotë të jashtëzakonshëm që po i presin ndërtesat, duke i kthyer ato në modele të reja alternative të ndërtimit, si dhe shfaqja e këtyre fabrikave të riciklimit të bazuara në Inteligjencën Artificiale, ku ato në thelb udhëhiqen me sensorë , për t'u siguruar që robotët të zgjedhin materialet e duhura. Kjo po klasifikohet sepse klasifikimi siguron gjithmonë stabilitet financiar. Nëse ju duhen shumë njerëz për këtë, fatkeqësisht shpesh nuk është financiarisht e qëndrueshme, por nëse jeni në gjendje ta bëni këtë në shkallë të gjerë, atëherë slita e qarkullimit do të mbyllet më lehtë”

Gjatë prezantimit ai tregoi përvojën e tij nga Holanda dhe zhvilloi një diskutim interaktiv me pjesëmarrësit rreth praktikave që e bëëjnë këtë shtet lider në ekonominë qarkore, me fokus te bashkëpunimi dhe transporti i qëndrueshëm.

Friedl realizoi një ushtrim imagjinativ me audiencën, duke i ftuar pjesëmarrësit të përfytyronin Prishtinën e vitit 2030 si një qytet të zhvilluar sipas parimeve të ekonomisë qarkore, me teknologji të gjelbra, mobilitet të mençur dhe industri të qëndrueshme

Në përfundim të aktivitetit, folësi organizoi një ushtrim motivues dhe energjik me audiencën përmes sloganit “Po, ne mundemi!”, duke nxitur frymën e bashkëpunimit, optimizmit dhe angazhimit për tranzicionin drejt ekonomisë qarkore në Kosovë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026