Franca dhe Anglia do të përballen të shtunën në ndeshjen për medaljen e bronztë të Kupës së Botës, në një duel ku të dyja kombëtaret kërkojnë të mbyllin me një notë pozitive një turne që përfundoi ndryshe nga pritshmëritë.
Për Francën, kjo sfidë do të jetë ndeshja e fundit e Didier Deschamps në stolin e “Les Bleus”.
Kjo do të jetë ndeshja e tij e 187-të si përzgjedhës i Francës, një rekord historik për një trajner të kombëtares.
“Gjelat” u eliminuan në gjysmëfinale pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës, duke humbur mundësinë për një tjetër finale botërore.Nga ana tjetër, Anglia vjen pas një tjetër zhgënjimi të madh. “Tre Luanët” ishin shumë pranë finales pasi kryesonin ndaj Argjentinës deri në minutat e fundit, por pësuan përmbysje dhe humbën 2-1.
Kjo ishte një goditje e rëndë për skuadrën e Thomas Tuchel, ndërsa tani objektivi është të sigurohet vendi i tretë – rezultati më i mirë i Anglisë në një Botëror që nga triumfi i vitit 1966.
Historiku i përballjeve gjithashtu favorizon Francën. Në nëntë takimet e fundit mes këtyre dy kombëtareve, Anglia ka fituar vetëm një herë, ndërsa Franca ka regjistruar gjashtë fitore.
Michael Olise i Francës ka qenë një nga lojtarët më kreativë të këtij Botërori, me pesë asistime, vetëm një më pak se rekordi historik i Pelés për asistime në një edicion të Kupës së Botës.
Ndërsa për Harry Kane, kjo mund të jetë ndeshja e fundit në një Botëror me fanellën e Anglisë. Sulmuesi i Bayern Munich tashmë është golashënuesi më i mirë i Anglisë në historinë e Botërorit me 14 gola.