Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka pranuar se skuadra po kalon një periudhë të vështirë pas humbjes 3:2 ndaj Atalantws në Serie A, duke theksuar se ekipit i ka munguar përqendrimi dhe mentaliteti i duhur në javët e fundit.
Pas ndeshjes, Tare deklaroi se nuk ka arsye për të fshehur problemet që po kalon skuadra, duke shtuar se të gjithë në klub duhet të marrin përgjegjësi për rezultatet e dobëta. Ai tha se tifozët meritojnë një ekip tjetër dhe se forma e dobët e muajit të fundit ka ndikuar negativisht në objektivat e klubit.
Tare bëri të ditur se skuadra mund të futet në grumbullim para ndeshjes së radhës ndaj Genoas, në mënyrë që lojtarët dhe stafi të qëndrojnë më afër njëri-tjetrit dhe të analizojnë situatën. Ai theksoi se objektivi kryesor mbetet sigurimi i një vendi në Ligën e Kampionëve.
KosovaPress