Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka hapur sot në Prishtinë punimet e Konferencës Rajonale për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, me temën “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”.
Konferenca, e cila mbahet më 3 dhe 4 qershor, mbledh përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, guvernatorë dhe zyrtarë të bankave qendrore të rajonit, drejtues të institucioneve financiare, partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues të akademisë, sektorit financiar dhe ekspertë të financave digjitale.
Në hapje të konferencës, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se zhvillimet e shpejta teknologjike, përfshirë kripto-asetet, format digjitale të parasë, financat e decentralizuara, inteligjencën artificiale dhe sistemet moderne të pagesave, po ndikojnë ndjeshëm në funksionimin e sektorit financiar global.
Sipas tij, këto zhvillime janë bërë pjesë e agjendës strategjike të bankave qendrore, rregullatorëve dhe industrisë financiare, duke krijuar mundësi për rritjen e efikasitetit, gjithëpërfshirjes financiare, transparencës dhe uljen e kostove të shërbimeve.Ai tha se për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë ekonomi të hapura, ndërlidhje financiare dhe flukse të rëndësishme të remitancave, financat digjitale paraqesin mundësi për avancimin e integrimit rajonal, modernizimin e shërbimeve dhe përafrimin me tregun financiar evropian.
Guvernatori veçoi progresin e Kosovës në modernizimin e infrastrukturës së pagesave, avancimin e pagesave të shpejta dhe procesin e integrimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro.
Të pranishmëve iu drejtua edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili foli për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional, politikave ekonomike dhe krijimit të kushteve për zhvillim, inovacion dhe stabilitet makroekonomik.
Në ditën e dytë parashihet takim me palët vendore të sektorit financiar, prezantimi i Raportit Global të Stabilitetit Financiar të FMN-së, si dhe një diskutim publik ndërmjet guvernatorit Ismaili dhe Tobias Adrian në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.