Fiorentina demolon Romën
Sport
Lexohet për: 2 min.
Fiorentina
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Fiorentina ka fituar derbin e fundit të xhiros së nëntë kundër Romës në Firencë me rezultat të thellë 5:1, duke shprehur aspiratat për një titull të mundshëm kampioni në mesin e garës së ashpër për kreun e tabelës.

Skuadra nga Firenca pas kësaj fitoreje renditet e katërta në tabelë me 16 pikë, gjashtë më pak se lideri Napoli, dy më pak se Inter në vendin e dytë dhe vetëm një pikë larg Juventusit në pozitën e tretë.

Futbollistët vendës treguan dominim të plotë në sfidën ndaj romakëve që tashmë renditen në pjesën e poshtme të tabelës, pozita e 11-të me 10 pikë dhe për të cilët kjo ishte humbja më e thellë në edicionin e ri në Serie A.

Moise Kean nisi serinë e golave në minutën e 9-të për 1:0, ndërsa tetë minuta më vonë Lucas Beltran  realizoi nga penalltia për epërsinë prej 2:0.

Epërsia e hershme sikur i hutoi futbollistët vendës, të cilët lëshuan ritmin në lojë, gjë të cilën romakët e shfrytëzuan duke zvogëluar diferencën në 2:1 përmes Manu Kone në minutën e 39-të. Por, nuk kaluan as dy minuta lojë dhe Moise Kean shënoi edhe golin e tij të dytë në ndeshje dhe të tretin për “violën”, me të cilin rezultat (3:1) përfundoi edhe pjesa e parë.

Skuadra vendëse nisi mbarë 45 minutat e dyta dhe vetëm pas shtatë minutash lojë, Edoardo Bove thelloi shifrat në 4:1, ndërsa Mats Hummels “u përkujdes” me një autogol në minutën e 71-të për epilogun katastrofal për ekipin e Romës - 1:5.

Vlen të theksohet se skuadra romake nga minuta e 65-të mbeti me një lojtar më pak në fushë pasi Mario Hermoso u ndëshkua me karton të kuq.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024