Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës e ka cilësuar si të paparashikueshme finalen e pestë ndërmjet Trepçës dhe Golden Eagle Yllit që do të zhvillohet të enjten në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, nga ku edhe do të mësohet kampioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll.
Në një intervistë për KosovaPress, Fetahu ka thënë se ky edicion i Supelrigës ka ofruar vërtetë një garë të nxehtë mes klubeve dhe kjo do të kulmojë me finalen e pestë mes Trepçës dhe Yllit.
Sa i përket dy rivalëve, Fetahu është shprehur i bindur se Ylli dhe Trepça janë dy skuadrat meritore për të qenë në këtë pikë pasi këtë e kanë dëshmuar në vazhdiëmsi të kampionatit.
“Sigurisht që të dy janë me meritë në finale. Në basketboll, jo sikur në futboll dhe sportet tjera është e pamundur pothuajse të fitosh pa meritë, në veçanti në sistemin tonë të garimit ku klubet duhet që ta fitojnë klubin tjetër tri herë për të kaluar në finale dhe tri herë për t’u shpallur kampion. Do të thotë, mund të kesh rastësi që në një ditë ta kesh ditën e mirë apo të keqe dhe ta humbasësh një ndeshje, por tri ndeshje t’i fitosh radhazi ndaj një kundërshtari dhe atë të gjitha brenda dy javësh është pothuajse e pamundur nëse nuk është ekipi më i mirë në pyetje...Kështu që unë them se nesër do të vendosin nuancat, por mbetet të shihet cili do të kurorëzohet kampion”, nënvizoi i pari i FBK-së.
Trepça dhe Ylli kanë zhvilluar katër ndeshje finale deri më tani dhe janë të barabartë në seri 2-2, andaj sfida e se enjtes do ta nxjerrë edhe kampionin e ri të Kosovës në basketboll.