Fernandes barazon rekordin historik të asistimeve me Henry-n dhe De Bruyne-n
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Fernandes barazon rekordin historik të asistimeve me Henry-n dhe De Bruyne-n
Projekti Ri (24)
18/05/2026 - 13:56
Linku u kopjua

Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka shprehur gjithë krenarinë e tij pasi arriti të barazojë rekordin historik të Premier Ligës për numrin më të madh të asistimeve brenda një sezoni, raporton Goal.com.

Me asistimin e tij të 20-të të sezonit në fitoren 3-2 ndaj Nottingham Forest (ku shërbeu për golin e Bryan Mbeumo-s), portugezi shkroi emrin e tij pranë dy legjendave të futbollit anglez, Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne.

I shpallur së fundmi edhe si "Futbollisti i Vitit" nga shoqata e gazetarëve (FWA), Fernandes pranoi se ky moment ka një peshë të madhe për të:

"Jam shumë krenar. Po flasim për Thierry-n dhe Kevin-in, dy nga emrat kryesorë të Premier Ligës. Ndjehem shumë mirënjohës dhe shumë i lumtur që e arrita këtë. Është një moment që më bën shumë krenar," u shpreh Fernandes pas ndeshjes.

Mesfushori 29-vjeçar pranoi se me afrimin e këtij momenti, presioni i shifrave filloi të ndikohej në mendjen e tij, ndonëse u përpoq të mos ndryshonte stilin e lojës:

"Nuk do të thosha se u çliruam, por jam shumë i lumtur, shumë krenar. Natyrisht, të gjithë e dinë se kur fillon t'i afrohesh diçkaje të tillë, fillon të mendosh shumë. E mira është se kjo nuk e ndryshon mënyrën se si luaj, sepse unë jam aty për t'u shërbyer shokëve të skuadrës dhe për t'u mundësuar atyre të shënojnë gola."

Manchester United do ta mbyllë sezonin të dielën e ardhshme në udhëtim kundër Brighton-it, ku Bruno do të ketë shansin që me një asistim të 21-të ta mbajë i vetëm këtë rekord.

Megjithatë, ai thotë se është i kënaqur me çfarë ka arritur deri tani:

"Shpresoj që të ndodhë (asistimi i 21-të). Por edhe nëse nuk ndodh, unë jam tashmë shumë i lumtur sepse kurrë nuk kam bërë 20 asistime në Premier League. Nuk kam bërë as 19, kështu që edhe po ta mbyllja me 19 do të isha shumë i lumtur."

Në fund, kapiteni i "Djajve të Kuq" nuk harroi të falënderonte shokët e skuadrës, duke ia dedikuar meritën kryesore realizuesit të golit:

"Isha më shumë i lumtur për reagimin e tyre sesa timin, sepse dëshironha që Bryan (Mbeumo) të festonte golin e tij. Nuk doja që gjithçka të rrotullohej rreth meje, sepse në fund të ditës, shënimi i golit është gjëja më e madhe në futboll. Të gjitha meritat shkojnë për Bryan-in, sepse nëse ai nuk do ta dërgonte topin në rrjetë, rekordi im nuk do të ishte këtu. Këto rekorde vijnë vetëm nëse shokët e skuadrës i bëjnë gjërat siç duhet," përfundoi Fernandes.

Edhe pse ai ndan tashmë fronin me dy ikona si Henry dhe De Bruyne me nga 20 asistime, një pasim i fundit vendimtar do ta shndërronte portugezin në arkitektin dhe krijuesin absolut në historinë e Premier League brenda një sezoni të vetëm.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026