Finalja e Kupës së Kosovës do të zhvillohet të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Ferizaji dhe Dukagjini do të përballen për të shkruar histori, duke synuar trofeun e parë në këtë garë.
Ndeshja pritet të nisë në ora 20:00 dhe vjen si kulmi i një rrugëtimi të suksesshëm për të dy skuadrat, të cilat kanë kaluar të gjitha sfidat deri në aktin përfundimtar. Interesimi për këtë përballje është i madh, ndërsa gjithçka është gati për një spektakël futbolli në kryeqytet.
Para kësaj ndeshjeje, optimizmi në kampin e Ferizajit është i madh. Presidenti i klubit, Lulzim Abazi, duke folur për KosovaPress tregon rëndësinë e kësaj finaleje dhe përgatitjet e skuadrës.
“Nesër vërtet është një lojë për neve, për ferizajasit, një finale shumë e madhe. Kjo është hera e tretë si klub ferizajas që garon që nga fillimet e tij; është hera e tretë që garon, arrin në finalen e Kupës së Kosovës, ku siç dihet, dy herë të tjera ka dështuar, ndërsa nesër e kemi herën e tretë, por mendoj që do të jetë e treta dhe e vërteta. Jemi përgatitur maksimalisht, edhe pse siç e dini kemi pasur disa probleme gjatë kampionatit, mirëpo kemi punuar në atë drejtim që ekipi, grupi i lojtarëve, të jetë sa më në nivelin e duhur për nesër, për ndeshjen e mbrëmjes që do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”, në ora 20:00.” – tha Abazi.“Një obligim shtesë e kanë ndaj vetë fanellës edhe klubit për shumë arsye që nuk kemi mundur gjatë kampionatit t’i arrijmë. Janë zotuar që do ta japin maksimumin nga vetja dhe është fatmirësisht mirë; thashë që janë të gjithë komplet, mirëpo qëndrojnë edhe mirë edhe psiqikisht, por edhe fizikisht, e thashë më herët kështu që janë të përgatitur dhe mezi që po e presin nesër, pra ndeshjen me Dukagjinin.” – tregon Abazi.
Duke folur për kundërshtarin, presidenti i Ferizajt vlerësoi lart Dukagjinin, por mbetet besimplotë në suksesin e skuadrës së tij.
“Po, ne momentalisht jemi të përqendruar në këtë ndeshje dhe e dimë se finalja e Kupës është diçka ku çdo skuadër dëshiron të jetë, sepse dihet se fituesi i Kupës siguron daljen në Evropë. Kështu që ne jemi fokusuar maksimalisht në këtë ndeshje, sidomos javën e fundit kemi qenë të përqendruar vetëm te kjo finale dhe jemi përgatitur maksimalisht. Kjo është një ndeshje historike, sidomos për klubin tonë.” – shtoi trajneri Abazi.
“Atmosfera është maksimalisht e mirë. Jemi të gjithë të gatshëm dhe të motivuar për këtë ndeshje dhe synojmë të shpallemi fitues. U bëj thirrje tifozëve që të vijnë sa më shumë nesër për të na përkrahur. Nuk do t’i zhgënjejmë dhe besoj se, bashkë me ta, do t’ia dalim në fund.” – tregon kapiteni Haxhimusa.
Finalja pritet të jetë një përballje e fortë dhe emocionuese, ku njëra nga skuadrat do të shkruajë historinë duke ngritur për herë të parë trofeun e Kupës së Kosovës.