Federata e Karatesë drejt Kampionatit Shtetëror mes pasigurisë financiare
Tema
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Federata e Karatesë drejt Kampionatit Shtetëror mes pasigurisë financiare
Perfaqesuesja-e-Kosoves-ne-Karate-foto-REL-e1525969216804
01/03/2026 - 11:26
Linku u kopjua

Federata e Karatesë së Kosovës po përgatitet për ngjarjen kryesore vendore të vitit, Kampionatin Shtetëror për Seniorë, që do të mbahet më 7 mars, por përgatitjet po zhvillohen nën hijen e një pasigurie financiare.

Pavarësisht se është kategorizuar si një ndër federatat më të suksesshme në vend, ekziston frika se Ministria e Rinisë dhe Sportit, mund të ulë mbështetjen financiare, një veprim që do të rrezikonte planet dhe aktivitetet e federatës për vitin 2025.

Kampionati i 7 marsit konsiderohet si ngjarje kyçe, pasi, siç bënë të ditur për KosovaPress, sekretari i Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi, do të shërbejë për të përzgjedhur ekipin kombëtar që do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian në Frankfurt të Gjermanisë.

“Kampionati për seniorë është kyç, është kampionati kryesor që e mban Federata e Karatesë dhe po besoj që të gjithë sportistët seniorë që i kemi nëpër klube do të jenë pjesëmarrës aty. Do të jetë një pasqyrë e mirë për seleksionuesit që nga këta seniorë, nga ky kualitet që e kemi, ta bëjnë përzgjedhjen pastaj për Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet në maj në Frankfurt të Gjermanisë, Kampionati Evropian për seniorë. Për ata është e rëndësisë së veçantë për shkak se forma e sportistëve do të shihet cila është para Kampionatit Evropian”, bën të ditur fillimisht Gashi.

Gashi bëri të ditur se në këtë kampionat do të marrin pjesë karateistët elitarë të të gjithë vendit.

“Këtu nuk ka përjashtim. Këtu do të marrin pjesë të gjithë. Edhe Islami, edhe Betimi si medalist evropian nga viti i kaluar, të gjithë do të marrin pjesë dhe do të jetë një ngjarje me të vërtetë e madhe sportive për sportin e karatesë. Presim që realisht, ky vit të jetë po aq i suksesshëm sa vitin që vjen. Ndoshta me e tejkaluar nuk mundim se kampionat të seniorëve në botëror të seniorëve nuk kemi ne këtë vit. E kem çdo dy vjet kampionatin e seniorëve. Mirëpo, shpresojmë që këtë vit në Frankfurt në Gjermani të kualifikohemi me ekipore, me njërën nga ekiporet, qoftë vajzat, qoftë djemtë”, theksoi tutje Gashi.

Së fundmi, Federata e Karatesë u vlerësua lart nga Ministria e Sportit, duke u renditur në Kategorinë A dhe si federata e dytë më e suksesshme në vend, pas asaj të xhudos. Ky vlerësim pritej të sillte një rritje të buxhetit, por situata duket se ka marrë një kthesë të papritur.

Gashi thotë se ka informacione të pakonfirmuara se vlera financiare për pikët e fituara nga federatat gjatë kategorizimit mund të zvogëlohet. Aktualisht, një pikë vlerësohet me 3,000 euro, por ekziston shqetësimi se kjo shumë mund të ulet. Një hap i tillë do të përkthehej në një ulje direkte të buxhetit vjetor, pavarësisht rezultateve të shkëlqyera.

Nga Federata e Karatesë i është bërë apel ministrit të ri që jo vetëm të mos e ulë vlerën e pikës, por ta rrisë atë, në mënyrë që të mbështesë përgatitjet për ngjarje të mëdha ndërkombëtare si Lojërat Mesdhetare.

Një shkurtim buxhetor, Gashi thotë se do të detyronte federatën të zvogëlonte aktivitetet, numrin e sportistëve në gara ndërkombëtare dhe do të ndikonte negativisht në zhvillimin e sportit. Kjo situatë e lë sportin e karatesë mes planifikimeve për suksese të reja dhe pasigurisë për mbështetjen financiare që mund të cenojë të gjithë punën e bërë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026