Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës javën e kaluar në Kosovë, ka takuar drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe familjen heroit, rreshter Afrim Bunjaku, i cili mbeti i vrarë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Sipas njoftimit të policisë, Escobar shprehu ngushëllime familjes Bunjaku dhe Policisë së Kosovës për humbjen e jetës së rreshterit Afrim Bunjaku.
Më tej bëhet e ditur se Escobar është njoftuar në detaje nga drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha për sulmin ndaj policisë në Banjskë më 24 shtatori 2023.
“Në një takim të veçantë, DP Hoxha informoi ZNS Escobarin dhe atasheun Riffe për sulmin ndaj policisë në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku, dhe situatën aktuale të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. ZNS Escobar vlerësoi mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt më kreun e Policisë së Kosovës. DP Hoxha përcolli mirënjohjen e tij të thellë për Shtetet e Bashkuara dhe stafin e shumtë të ambasadës që ndihmojnë policinë dhe janë të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./KosovaPress/