Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që gjatë ditës së sotme, e mërkurë, të përmbyllë numërimin e të gjitha fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Gjatë ditës së sotme, pritet të numërohen 8 kutitë e mbetura, në të cilat janë sistemuar fletëvotimet nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta.
“Gjatë ditës së sotme, më konkretisht në ditën e 10 pas ditës së zgjedhjeve, KQZ do të përmbyllë aktivitetet paszgjedhore, të cilat, KQZ i zhvillon për të ardhur deri tek rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultatateve do të numërohet pjesa e mbetur e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës dhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta”.
Ndërkaq, KQZ mëngjesin e së mërkurës ka përditësuar të dhënat nga procesi i numërimit në QNR. Sipas këtyre të dhënave, nga 223 kuti votimi në të cilat janë sistemuar fletëvotimet nga votimi me postë janë numëruar 215 dhe 8 të tjera do të numërohen gjatë ditës.