Edukimi medial vlerësohet si mbrojtja më e fortë ndaj manipulimit informativ
Edukimi medial mbetet një nga mjetet më të fuqishme në përballjen me dezinformimin, vlerëson specialistja e Institutit Finlandez, Saara Salomaa. Sipas saj, në një epokë të mbushur me informacion, aftësia për të kuptuar dhe vlerësuar përmbajtjet mediatike është thelbësore për funksionimin e shoqërive demokratike.
Salomaa në një intervistë për KosovaPress, thekson se shkrim-leximi mediatik u jep qytetarëve mundësinë jo vetëm të konsumojnë informacion, por edhe ta analizojnë atë në mënyrë kritike. Në mungesë të këtyre aftësive, sipas saj, qytetarët janë më të ekspozuar ndaj lajmeve të rreme dhe kanë më shumë gjasa t’i shpërndajnë ato.
“Edukimi medial është një aftësi e rëndësishme jetësore e shekullit XXI. Ai promovon shkrim-leximin mediatik dhe pa të, njerëzit nuk janë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në shoqëri si prodhues të informacionit, por as të analizojnë apo vlerësojnë besueshmërinë e informacionit që u ofrohet, nëse nuk kanë aftësi në shkrim-leximin mediatik... Edukimi medial nënkupton mundësinë për të zhvilluar aftësitë e shkrim-leximit mediatik dhe prandaj u jep qytetarëve mundësi të jenë pjesë reale e shoqërisë dhe të kontribuojnë në shoqërinë demokratike duke marrë pjesë online”, thotë ajo.
Ajo nënvizon se edukimi medial duhet të fillojë herët dhe të jetë pjesë e pandashme e sistemit arsimor. Sipas saj, kjo mund të realizohet përmes një lënde të veçantë ose duke e integruar në fusha të tjera si gjuha, historia dhe shkencat shoqërore.
“Nëse njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se jo gjithçka që shohin apo dëgjojnë është e besueshme, ata nuk arrijnë të aktivizojnë mendimin kritik dhe aftësitë vlerësuese. Si rezultat, ata kanë më shumë gjasa të besojnë gjithçka dhe gjithashtu të shpërndajnë vetë lajme të rreme dhe dezinformim... Edukimi medial duhet patjetër të mësohet në shkolla, sepse kjo është mënyra e vetme që të gjithë fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë. Mund të jetë lëndë e veçantë ose të integrohet në lëndë të ndryshme si gjuhë, histori dhe shkenca shoqërore”, deklaron ajo.
Në lidhje me përpjekjet për të kufizuar dezinformimin, Salomaa thotë se është e qartë se në shoqëritë demokratike, ku liria e shprehjes është e garantuar, kufizimi i informacionit nuk është zgjidhje. Në vend të kësaj, ajo propozon fuqizimin e qytetarëve përmes edukimit, duke i bërë ata më rezistentë ndaj manipulimit.
“Nuk mund të kufizosh informacionin në shoqëri demokratike ku ekziston liria e shprehjes. Edukimi medial u mundëson njerëzve pjesëmarrje aktive, ndërsa rregullimi nuk ofron të njëjtën mundësi”, shton ajo.
Duke folur për ndikimin në demokraci, ajo paralajmëron se dezinformimi mund të minojë besimin në institucione dhe të ndikojë në procese të rëndësishme, përfshirë zgjedhjet. Sipas saj, kur qytetarët humbasin besimin, ata mund të tërhiqen nga pjesëmarrja aktive në shoqëri.
Salomaa veçon edhe rolin e teknologjisë, duke theksuar se inteligjenca artificiale ka rritur ndjeshëm shpejtësinë dhe sofistikimin e dezinformimit. Ajo e bën më të lehtë krijimin e përmbajtjeve të rreme që duken bindëse, megjithëse shton se jo të gjithë e përdorin këtë teknologji për qëllime negative.
“Dezinformimi është shumë i rrezikshëm për demokracinë sepse synon të ulë besimin në shoqëri, që njerëzit të mos jenë të shtyrë për të kontribuar në shoqëri, nëse ata nuk besojnë në institucione ose te njerëzit e tjerë. Ai gjithashtu mund të ndikojë në zgjedhje duke bërë që njerëzit të mendojnë se vota e tyre nuk ka rëndësi ose se zgjedhjet janë të manipuluara... Ajo po e rrit ndjeshëm përhapjen e tij, duke e bërë më të lehtë krijimin e imazheve, audios dhe videove shumë realiste. Propaganda dhe dezinformimi kanë ekzistuar gjithmonë, por inteligjenca artificiale i çon në një nivel shumë më të lartë, duke lejuar pothuajse këdo të prodhojë përmbajtje të rreme që duket reale, por me fat shumë njerëz nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë gjë”, thekson ajo.
Krahas kësaj, ajo thekson se lufta kundër dezinformimit kërkon një qasje të gjerë, ku përfshihen politika kombëtare për edukimin medial dhe mbështetje për organizatat që punojnë në këtë drejtim.
Sipas saj, dezinformimi nuk vjen vetëm nga jashtë, por edhe nga aktorë të brendshëm, çka e bën atë një sfidë të vazhdueshme për çdo shoqëri. /KosovaPres
s/