Shqipërisë i pakësohen delet, dhitë, derrat e pulat ndërsa i shtohen lopët e bletët
Shqipëria më 2025 pati më pak dele, dhi, derra e pula, se më 2024.
Gjedhet ndërkaq i janë shtuar, sikur edhe bletët
Këto të dhëna i ka konstatuar Instituti I Statistikave.
Sipas INSTAT, numri i gjedhëve është rritur me 1.1 për qind, nga 272 mijë, në vitin 2024, në 275 mijë krerë më 2025. Po ashtu, numri i lopëve është rritur me 0.8 për qind, duke arritur nga 224 mijë në 226 mijë krerë.
Ndërkaq, numri i kafshëve të leshta ka pësuar rënie prej 0.9 për qind, nga 1 milion e 177 mijë në 1 milion e 166 mijë krerë. Delet kanë shënuar një rënie më të theksuar prej 3.8 për qind, duke zbritur nga 968 mijë, në 932 mijë krerë.
Rënie është regjistruar edhe te kafshët e dhirta, të cilat kanë zbritur në 570 mijë krerë, ose 7.4 për qind më pak krahasuar me vitin 2024. Brenda kësaj kategorie, numri i dhive është ulur me 7.9 për qind, nga 501 mijë në 461 mijë krerë.
Deficiti më i madh, gjithnjë sipas INSTAT, është evidentuar te derrat, ku numri i tyre ka zbritur me 28.2 për qind, nga 104 mijë, në 75 mijë krerë.
Edhe numri i shpendëve ka shënuar rënie të lehtë prej 0.5 për qind, nga 6 milionë e 992 mijë, në 6 milionë e 953 mijë. Numri i pulave ka rënë më ndjeshëm, me 8.3 për qind, duke zbritur nga 4 milionë e 557 mijë, në 4 milionë e 178 mijë.
Në të kundërt, numri i koshereve të bletëve ka shënuar rritje prej 9.8 për qind, duke kaluar nga 587 mijë në vitin 2024, në 645 mijë koshere në vitin 2025. /Kosovapress/
/Kosovapress/