Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se “rishikimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura është pjesë e agjendës së negociatave me Bashkimin Europian”.
Në një reagim në rrjetet sociale lidhur me debatet pas miratimit të rezolutës së Parlamentit Europian të propozuar nga disa eurodeputetë të grupit të majtë parlamentar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, Rama theksoi se “disa tamtamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë”.
Kryeministri Rama u shpreh se “sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale”.
Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, Rama tha se “europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standardet e BE-së”.