Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq në rastin “Banjska”.
Në këtë seancë ka nisur dhënia e mbrojtjes së të akuzuarit, Dushan Maksimoviq, i cili foli për fotografinë ku ai shihet me uniformë, për çka pretendoi se kjo është bërë në shtëpinë e tij.
“Do të doja ta sqaroja një pjesë që ka të bëjë me një çështje të Prokurorisë Speciale, me një pyetje për Prokurorinë Speciale, pyetja ka të bëjë me uniformën në fotografinë në aktakuzë. Në pyetjen e Prokurorisë Speciale që ta sqarojë se nga e kam atë uniformë, si e kam siguruar uniformën, me çfarë arsyeje, nga kush kam qenë i angazhuar me detyrë, dhe çfarë detyre unë në këtë pyetje jam përgjigjur, mirëpo kur e kam shiquar proces verbalin e kam vërejtur se mungon pjesa e përgjigjes pikërisht në këtë pyetje e cila ka të bëjë me ndonjë angazhim timin dhe detyrat e mia. Unë nuk kam qenë i angazhuar nga askush dhe për asgjë. Fotografia është bërë në shtëpinë time, jam fotografuar si për argëtim dhe ka qenë hera e parë që shoh dhe që kam pasur uniformë të tillë. Po ta kisha më herët, me siguri nuk do të ishte interesant për mua të bëjë foto me uniformë”, ka thënë ai.
“Këtë uniformë e kam marrë paraprakisht që ta shfrytëzojë për gjueti, siç kam thënë në Prokurorinë Speciale, nuk e kam ditur as nuk kam pasur ide që çfarë fotografi po planifikojnë që t’i përdorin në këtë procedurë. Banjska është vend i vogël e cila është e rrethuar me male dhe me njerëz, ndërsa unë kohën time të lirë qysh vite para e kam kaluar në gjueti dhe në natyrë, siç kam thënë sepse kam jetuar në asi rrethine apo rrethana”, shtoi ai.
Tutje, ai pretendoi se ajo uniformë ku ai shihet në fotografi nuk është e ngjashme me ato që janë përdorur gjatë sulmit në Banjska.
“Unë aspak nuk e di nga i vjen avokatit Naim Rudari një pretendim i tillë dhe një informatë e tillë. Unë e di se uniforma ka qenë e lagur me gjërat e mia. Pas një kohe kur e kam pastruar shtëpinë time nga dheu dhe nga balta dhe kur e kam gjuajtur të gjitha mobiljet e zhytura në ujë apo të lagura, unë e di se e kam gjuajtur edhe këtë uniformë. Ashtu që me siguri nuk ka mund të jetë e gjetur”, deklaroi ai para trupit gjykues.
Dhënia e mbrojtjes së të akuzuarit, Dushan Maksimoviq po vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prokurori special, Naim Abazi paraprakisht ka kërkuar nga trupi gjykues që të administrojë si provë procesverbalin nga intervista me të akuzuarin Bllagoje Spasojeviq.
Trupi gjykues ka marrë aktvendim, ku sipas kryetarit Ngadhënjim Arrni, deklarata e të akuzuarit e dhënë paraprakisht në polici, është administruar në polici. Gjyqtari po ashtu tha se tutje do të vlerësohen edhe të dhënat nga ekzaminimet e telefonave.
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023 Policia e Kosovës u ballafaqua me sulm terrorist. Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator kishte ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.
Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.