Disa nga personat që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzoi për sulmin në Banjskë të Zveçanit - ose së paku një prej tyre - dhe që kërkohen nga autoritetet kosovare, u panë në një protestë të rrethuar nga policia në qendër të Beogradit.
Prishtina zyrtare thotë se personat e akuzuar për sulmin e 24 shtatorit, 2023, u panë më 28 qershor në Parkun e Pionierëve në Beograd, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Duke përdorur mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, i cili është një prej 45 personave të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës, transmeton KosovaPress.
Megjithatë, bazuar në informacionet publike në Serbi, ai nuk është i akuzuar për këtë vepër penale.
Sipas fotografive dhe videove të disponueshme, këto grupe qëndronin pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë dhe afër njësive të policisë.
Lexo edhe:
Dy protesta me qëllime të kundërta
Më 28 qershor, në Beograd u mbajt një protestë e organizuar nga studentët në bllokadë.
Fjala është për një kamp me tenda, që u ngrit para tre muajsh në Parkun e Pionierëve, rreth një kilometër larg Sheshit Sllavija.
Në anën tjetër të këtij parku gjendet Presidenca e Serbisë.
Bllokada e tyre nisi pas shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, ku për pasojë 16 persona humbën jetën.
Grupit në Parkun e Pionierëve iu bashkuan edhe disa ish-anëtarë të “Beretave të Kuqe” - një formacion i shpërbërë për shkak të lidhjeve me vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, në vitin 2003.
Ndërsa turma bllokonte Sheshin Sllavija dhe rrugët që çonin atje, mbështetësit e pushtetit në Parkun e Pionierëve organizuan një “mbrëmje letrare”.
Atyre iu bashkuan edhe udhëheqësit kryesorë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiqit, përfshirë edhe vetë Vuçiqin në një moment.
Por, ata nuk ishin të vetmit.
Lexo edhe:
Të rinjtë me këmisha jeshile
Ndërsa politikani opozitar serb, Gjorgje Miketiq, ndau në rrjetin social X një fotografi me tre burra dhe pyeti nëse ishin persona nga Banjska, disa media në gjuhën shqipe raportuan se në grupet në Parkun e Pionierëve ishin edhe katër persona të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Grupin, sipas vetë pranimit të tij, e udhëhoqi Millan Radoiçiq, i cili më parë njihej si biznesmen nga Kosova.
Duke përdorur mjetet e njohjes së fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin, nga Mitrovica e Veriut, i cili është një nga 45 personat e akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.
Ai është në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, për të cilat Radio Evropa e Lirë konstatoi se janë bërë më 28 qershor pranë Parkut të Pionierëve.
Në rrjetet e tij sociale, ai shihet me të njëjtën këmishë jeshile. Por në vitin 2010, për shembull, ai dukej edhe me një xhaketë me simbole të Obraz-it - një organizatë ultra-djathtiste që Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi në vitin 2012, për shkak të, siç u tha, diskriminimit ndaj pakicave dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes.
Shtatë vjet më herët, Ministria e Brendshme e Serbisë e etiketoi Obraz-in si organizatë klero-fashiste.
Vuçetiq dhe numri më i madh i të akuzuarve të tjerë janë në arrati dhe për ta është lëshuar një urdhër arrestimi nga ana e Interpol-it.
Heshtje në Serbi, ndërsa Kurti akuzon
REL-i pyeti Ministrinë e Brendshme të Serbisë nëse i ka identifikuar personat që gjendeshin pranë brigadës së policisë, si dhe çfarë masash ka marrë lidhur me urdhrin ndërkombëtar të arrestimit për Vuçetiqin dhe të tjerët - të lëshuar nga Interpol-i në dhjetor të vitit 2023, me kërkesë të Kosovës. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti më 30 qershor se personat e akuzuar për sulmin në Banjskë, duhet të ekstradohen në Kosovë.
Çfarë thotë aktakuza?
Nga 45 të akuzuarit, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq janë në paraburgim në Kosovë dhe gjykimi i tyre është duke vazhduar.
Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës - ku gjenden komunat me shumicë serbe - dhe ta bashkojë atë me Serbinë.
Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.
Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.
Sipas aktakuzës, nga 1 janari i vitit 2017 deri më 24 shtator, 2023, kur ndodhi sulmi në Banjskë, Radoiçiq siguroi të ardhura në mënyrë indirekte, shumica e të cilave u përdorën për armë të rënda, uniforma ushtarake, mbështetje logjistike dhe pagesë të pjesëmarrësve në grup.