Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, beson që fundi i këtij viti apo fillimi i vitit të ardhshëm vendin do ta dërgojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pasi asnjëra prej partive politike nuk i ka numrat e nevojshme për formimin e qeverisë së re, raporton KosovaPress.
Të mërkurën vazhdoi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili jep afat 30 ditor për formimin e legjislativit të nëntë.
Për këtë, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress se po mungon serioziteti dhe vullneti nga partitë politike për të krijuar institucionet e reja.
Arifi potencon se tashmë emri i propozuar nuk është me rëndësi, pasi siç shprehet ai “mënyra se si po dëshiron të ndërtohet Kuvendi i Kosovës lë për të dëshiruar”.
Ai vlerëson se në mungesë të vullnetit të eksponentëve politik për formim të qeverisë vendi me shumë gjasë po shkon drejt zgjedhjeve.
Në seancën e djeshme, ashtu siç e kërkoi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për bllokadën politike, votimi për kryekuvendar u bë me votim të hapur. Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvallën, por asnjëra nuk mori 61 votat për t’u zgjedhur kryetare e re e Kuvendit. Pas dy dështimeve, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari e ndërpreu seancën, e cila do të vazhdojë të premten nga ora 11:00.