Deklarata e Paunoviqit, reagime edhe nga Gjermania: E papranueshme
4-Fourth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Deklarata e Paunoviqit, reagime edhe nga Gjermania: E papranueshme
16/07/2026 - 19:04
Linku u kopjua
Deklarata e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale Snezhana Paunoviq se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit më 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, po nxit reagime të shumta edhe ndërkombëtare.
KosovaPress regjistron dy reagime nga Gjermania.
Anëtarja e Bundestagut Gjerman për rrethin Böblingen Jasmina Hostert tha se ministrja serbe Snezhana Paunović pretendon se do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.
“Kjo deklaratë është e papranueshme. Kushdo që justifikon spastrimin etnik po tall viktimat e Luftës së Kosovës dhe po shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.
Nuk duhet të ketë vend për fjalë të tilla në një qeveri demokratike; ato dëmtojnë paqen në Ballkanin Perëndimor. Ministri duhet të japë dorëheqjen”, shkroi Hostert.
Ndërsa, anëtari i Parlamentit për Hanoverin verior, Adis Ahmetoviq, tha se sinjali i duhur nga Beogradi do të ishte shkarkimi i menjëhershëm i Ministrit Paunoviq.
“Shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Kjo përfshin edhe Serbinë. Por një frymë nacionalizmi dhe urrejtjeje, që buron nga disa qeveri, nuk ka vend në bashkësinë tonë evropiane të vlerave. Ajo e pengon procesin e rritjes dhe forcimit të BE-së”, shkroi Ahmetoviq.