Me sloganin “Për Kosovën dhe Metohinë serbe” në Beograd më 17 mars u mbajt një protestë e organizuar nga 13 parti dhe lëvizje të së djathtës, përfshirë edhe grupin ultradjathtist, Obraz.
Shkak për tubimin ishte Ligji për të huajt dhe Ligji për automjetet, të cilët hyrën në fuqi në Kosovë më 15 mars. Protestuesit thanë se këto ligje do të ndikojnë negativisht tek anëtarët e minoritetit serb në Kosovë, por edhe te sektori i shëndetësisë dhe arsimit, që në zonat e banuara me serb në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
Rreth 200 të pranishëm valëvitën flamuj të Serbisë, por edhe flamuj me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin. Nga altoparlantët u dëgjuan këngë nacionaliste, ndërsa të tubuarit brohoritën “Kosovën nuk e dorëzojmë” dhe “Tradhti”.
Midis të pranishmëve ishte edhe deputeti i Parlamentit të Serbisë, Branimir Nestoroviq, nga partia opozitare parlamentare “Ne, zëri i popullit”.Gjatë protestës, foli edhe Slobodan Samarxhiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, i cili tha se autoritetet në Serbi “kanë lënë pas dore” shëndetësinë dhe arsimin, që siç tha ai, janë nën kontroll në veri të Kosovë.
“Atje [në Kosovë] dhuna është e përditshme, njerëzit vuajnë, nuk kanë paratë e tyre. Atje është larguar çdo gjë serbe që mund të hiqej. Dhe tani po përfundojmë me institucionet e arsimit dhe shëndetësisë”, pretendoi Samarxhiq.
Këto lehtësira u mirëpritën nga Serbia, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.
Në praktikë, marrja e lejes për punë ose studime mund të jetë problematike, sepse Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, duke i konsideruar ato si paralele dhe të paligjshme.
Në tubimin në Beograd foli edhe Lluka Arsenijeviq, student i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, i cili tha se të rinjtë e mbajnë Kosovën “në zemër, mendje dhe lutje”.
Në tubim foli edhe udhëheqësi i grupit ultradjathtist serb, Obraz, Mlladen Obradoviq.
Obradoviq, i cili ka drejtuar organizatën e ndaluar Obraz, tha se njerëzit u mblodhën për të “shpërfaqur gënjeshtrat” e presidentit të Serbisë “se ai ka fituar [ndaj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti] duke detyruar serbët të marrin dokumente separatiste nga Kosova dhe Metohia”.
Pas fjalimeve, protestuesit marshuan drejt Ambasadës së Federatës Ruse në Beograd, për të falënderuar, sipas Obradoviq, “vëllezërit rusë”.
Obradoviq ka qenë një nga organizatorët e disa demonstratave kundër komunitetit LGBT, protestave kundër ekspozitave të artistëve nga Kosova, si dhe tubimeve në mbështetje të të dënuarve nga Gjykata e Hagës, Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq.