Në një atmosferë emocioni dhe respekti u mbajt Akademia përkujtimore me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe ditës së rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani, organizuar nën patronatin e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Në fjalën e tij, Gola e cilësoi Betejën e Koshares si një moment kyç që ndryshoi jo vetëm realitetin fizik, por edhe atë shpirtëror të shqiptarëve. Ai theksoi se thyerja e kufirit në Koshare simbolizoi një çlirim të dyfishtë territorial dhe të brendshëm, duke çliruar edhe vetëdijen kolektive nga kufizimet e frikës dhe pamundësisë.
“Ëndrra jonë për liri nuk mori formë në libra, por në jetët e njerëzve siç ishte jeta e komandanit. Agim Ramadani. Ishte shpirt i madh krijues. Ai pikturonte, shkruante, mendonte ndryshe. Ishte i shkolluar në Akademinë ushtarake të Zagrebit, i rritur në Kosovë dhe më vonë i përndjekur, u detyrua të emigronte në Zvicër. Atje, bashkë me dashurinë e jetës së tij, rivalen e bankave shkollore dhe bashkëaktivisten në ilegalitet, zonjën e nderuar Shukrije Ramadani dhe me fëmijët, jetonin, e donin dhe lirinë, ndërtonin jetën e tij. Kjo e pasqyronte faktin se Agim Ramadani nuk hyri në luftë, sepse nuk kishte rrugë tjetër. I kishte të gjitha arsyet për të qëndruar në Zvicër, ama nuk qëndroi. E braktisi komoditetin e të qenit evropian dhe iu bashkua shokëve e shoqeve, sepse nuk mund ta ndante jetën e tij nga ajo që po i ndodhte vendit ku ishte lindur dhe rritur. Ai e kuptoi herët që pritja nuk mjafton, prandaj nuk e la këtë pyetje të mbetej në varg. Nuk e mbajti si dilemë poetike, por e ktheu në vendim dhe u kthye në vendlindje drejt një rreziku konkret, drejt një lufte të pabarabartë, ku, siç tregojnë bashkëluftëtarët e tij, nuk mjaftonte të ishte trim, duhej të ishte edhe strateg, edhe vizionar. Dhe këtë ai e bëri pa bujë, pa deklarime të mëdha, por me një kthjellësi që e dallon një njeri që e ka ndarë tashmë mendjen për të ndarë fatin e tij me vendin” tha ai.“Agim Ramadani ra për lirinë e Kosovës, por emri i tij jehon e jeton përtej rënies së tij heroike. Ai jeton në kujtesën tonë kombëtare, në historinë e shtetit tonë dhe në vetë kuptimin e lirisë që sot e gëzojmë. Në betejën e Koshares, Agim Ramadani nuk ishte thjesht një luftëtar në vijën e frontit, por një figurë me peshë të veçantë strategjike dhe ushtarake në një prej operacioneve më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pikërisht për këtë, ai mbetet jo vetëm hero i luftës sonë çlirimtare, por edhe figurë që mishëron në mënyrë të veçantë idealin e atdhedashurisë së ndërgjegjshme”, tha Gashani
Ish-komandanti i UÇK-së gjatë Betejës së Koshares, Anton Quni, e përshkroi Agim Ramadanin si figurë që përfaqësonte një kombinim të rrallë të disiplinës ushtarake dhe ndjeshmërisë artistike, duke e konsideruar atë si një nga mendjet strategjike më të rëndësishme të operacionit në Koshare.
“Sot pas 27 vitesh ai është krenar me ju. Ju që qëndruat, që nuk u përkulët, që nuk e latë rrugën në mes. Sepse lufta nuk mbaron me armë, ajo vazhdon në mënyrën sesi jetojmë dhe si e mbrojmë njëri-tjetrin dhe si e mbrojmë shtetin tonë. Për mua, ju jeni vazhdimi i tij. Sot Kosova ka nevojë për ju, për unitetin, vendosmërinë, për dashurinë ndaj atdheut. Në emër të familjeve të dëshmorëve ju lutem që të rrini bashkë, mos lejoni që sakrifica të zbehet. Ndërtoni shtetin ashtu siç e ëndërruan ata që dhanë gjithçka. Ata jetojnë në ne”, tha ai.
Agim Ramadani nuk ishte vetëm një luftëtar i lirisë, por edhe shpirt krijues, i cili përmes vargjeve shprehu dashurinë për atdheun dhe idealin për liri. Vargjet e tij mbetën dëshmi e ndjenjës së thellë atdhetare dhe përkushtimit të tij për liri deri në sakrificën më të lartë.