Te vendi ku dikur ishte përplot zhurmë tregu dhe njerëz që bënin pazarin e ditës, sot mbizotëron heshtja dhe kujtesa. Çdo 13 mars rikthehen rrëfimet për një nga ditët më të rënda të luftës, kur tregu i qytetit u kthye në skenë tragjedie.
Në atë ditë të vitit 1999, forcat serbe goditën me granat tregun e mbushur me qytetarë. Brenda pak çastesh, vendi ku njerëzit shisnin e blinin ushqime u mbulua nga shpërthimet, britmat dhe paniku. Si pasojë e sulmit u vranë gjashtë qytetarë, në mesin e tyre gra dhe fëmijë, ndërsa 128 të tjerë mbetën të plagosur.
Në 27-vjetorin e sulmit me granatë në tregun e Mitrovicës, një nga të mbijetuarit, Xhafer Haziri, rikujton momentet e tmerrit që i ndryshuan jetën përgjithmonë.
“Atë ditë ka qenë ditë të e mjerueshme. Kemi qenë duke punuar këtu, në ora 14:15 ka rënë granata. Ka rënë granata afër meje, aty nuk e kam pasur as 3 metra larg. E kam humbur këmbën, vëllai i ka humbur dy këmbët dhe baba është i plagosur. Tre veta të familjes jemi të plagosur në tregun e Mitrovicës. Po normalisht që për çdo vit hapet kjo, nuk harrohet. Me të mirë rini, 24 vjeçar kam qenë kur jam plagosur. Kam humbur gjymtyrët e trupit, ashtu edhe vëllai i ka humbur dy gjymtyrët e trupit, por çka me bo, jeta vazhdon”- tregoi Haziri.Edhe Tafil Strana rrëfeu se atë ditë gjashtë anëtarë të familjes së tij u plagosën nga shpërthimi, ndërsa një familjare humbi jetën në vend.
“Gjashtë anëtarë të familjes i kam pasur të plagosur. Çikën e axhës e kam pasur të vdekur në vend, babën e plagosur, nënën e plagosur, vëllain e plagosur dhe dy çikat e tjera të axhës të plagosura. Njëra është pa katër gishtat e dorës dhe këmbët i ka të shkurtuara, Sadije Strana Muslia. Babën e kam pasur të plagosur këtu, ndërsa në muajin e katërt, më datë gjashtë, babën ma kanë masakruar në spital të Mitrovicës. Ma ka masakruar Marko Jakshiq. Vëllain e kam të plagosur dhe i ka 48 copa të granatës në këmbë prej plagosjes këtu. Po këtu po e shohim që nuk ka perspektivë prej tyre. Ahmet Strana, Sabrije Strana, Safet Strana, Firkije Strana, Valdete Strana, Sadije Musliu Strana, krejt i keni që janë”- pohoi Strana.
Masakra në tregun e Mitrovicës mbetet një plagë e thellë në historinë e qytetit dhe të Kosovës. Rrëfimet e të mbijetuarve, dëshmojnë tmerrin, dhimbjen dhe humbjet që solli sulmi, por edhe rezistencën e qytetarëve për të përballuar pasojat.