Rikthimi në politikë, a i humb beneficionet Vjosa Osmani pas mandatit si presidente?
Tema
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Rikthimi në politikë, a i humb beneficionet Vjosa Osmani pas mandatit si presidente?
29/03/2026 - 14:01
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar rikthimin në jetën aktive politike pas përfundimit të mandatit më 4 prill, duke ngritur dilema për të drejtat që i takojnë pas largimit nga posti më i lartë shtetëror.

Sipas profesorit të çështjeve juridike Mazllum Baraliu, ligji për presidentin parasheh një sërë beneficionesh për ish-kreun e shtetit. Ndër më kryesoret janë pagesa e përhershme në vlerë prej 70 për qind të pagës aktuale, pasaporta diplomatike, staf mbështetës, zyrë dhe privilegje të tjera protokollare, përfshirë edhe referimin si “president”.

Për pesë vitet e para pas mandatit, këto beneficione përfshijnë edhe mbështetje institucionale më të gjerë, si staf dhe shpenzime për aktivitete publike.

Megjithatë, sipas Baraliut, ligji nuk jep një përgjigje të prerë në rast se një ish-presidente rikthehet aktivisht në politikë. Ai thekson se ekziston një “vakum ligjor”, pasi nuk është e specifikuar qartë nëse përfshirja politike ndikon në vazhdimin ose jo të këtyre përfitimeve.

Në interpretim juridik, ai nënvizon se çdo gjë që nuk është e ndaluar shprehimisht mund të konsiderohet e lejuar. Por, sipas tij, fryma e ligjit sugjeron që këto beneficione janë menduar për ish-presidentë që nuk janë më aktivë në jetën politike apo publike.

Baraliu thekson gjithashtu se neni 23 i ligjit i jep mundësi ish-presidentes që me kërkesë personale, të heqë dorë nga beneficionet.

Përtej aspektit ligjor, ai ngre edhe dimensionin etik. Sipas tij, nuk është e qëndrueshme që një individ të përfitojë njëkohësisht nga beneficionet e ish-presidentit dhe nga ato që burojnë nga angazhimi aktiv politik. Në këtë kuptim, ai vlerëson se një rikthim në politikë do të duhej të shoqërohej me dorëheqje nga këto privilegje, si një akt korrektësie ndaj institucioneve.

Ndërkohë, Vjosa Osmani ka shprehur ambicie edhe për një mandat të dytë presidencial, por deri më tani nuk ka siguruar mbështetjen e ndonjë partie parlamentare në Kuvend./KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026