Suela Jaha, psikologe klinike nga Klinika multidisiplinare Balcë tha për Kosovapress se Dita Botërore e Autizmit shërben si një mundësi e rëndësishme për të rritur ndërgjegjësimin në shoqëri dhe për të promovuar pranimin e fëmijëve me autizëm.
Ajo theksoi se është thelbësore që institucionet dhe familjet të bashkëpunojnë për të krijuar një mjedis gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë të ndihet i pranuar dhe i vlerësuar. Sipas saj, përfshirja e tyre në aktivitete të përditshme ndikon pozitivisht në zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.
Ajo flet për sfidat me të cilat përballen personat me autizëm. Përmend problemet si mungesa e diagnostikimit të hershëm, shërbimet e kufizuara terapeutike, paragjykimet nga shoqëria, vështirësitë emocionale dhe financiare si dhe mungesa e përfshirjes së plotë në sistemin arsimor.
“Patjetër që duhet të jap në këtë ditë kaq të rëndësishme një mesazh sensibilizues. Së pari mos të kërkojmë që këta fëmijë të përshtaten me botën, por të mësojmë që bota jonë të përshtatet me ta, çdo fëmijë ka potencialin e tij, kështu që kur i japim këtyre fëmijëve dashuri, kur kemi durim dhe i mbështesim, i ndihmojmë këta fëmijë të zhvillojnë potencialin e tyre... Së pari është edukimi i publikut në lidhje me autizmin, së dyti është mirë që të flasim hapur çfarë është autizmi dhe është shumë e rëndësishme të bëhen trajnime për mësuesit, por edhe për profesionistët dhe është shumë e rëndësishme të bëhen aktivitete simbolike, por edhe fushata dhe jo vetëm që të jetë në mënyrë simbolike, por duhet të jetë një përfshirje reale”, tha Jaha.