Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2025 ka mbetur i bllokuar, pa ndonjë progres të dukshëm, si thonë njohësit e këtij procesi për shkak të zhvillimeve të brendshme politike në të dyja vendet dhe mungesës së një angazhimi më të fuqishëm nga Bashkimi Evropian. Mungesa e formimit të institucioneve në Kosovë dhe trazirat politike në Serbi, sipas tyre, kanë bërë që ky proces të ngecë. Ndërkohë i kërkohet Bashkimit Evropian që të adresojë disa parakushte ndaj Serbisë, si për përgjegjësit e saj për sulmin terrorist në Banjskë, e po ashtu lobimin intensiv kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Megjithatë, dialogu në nivel të kryenegociatorëve është zhvilluar, ku Besnik Bislimi dhe homologu i tij serb, Petar Petkoviq, janë takuar dy herë në Bruksel gjatë këtij viti, por pa u dakorduar për hapat konkret drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur mes palëve në vitin 2023.
Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialog, Avni Arifi, thotë për KosovaPress se progres në dialog s’ka mundur të ketë gjatë vitit 2025, derisa sipas tij, qeveria ka qenë në detyrë dhe s’ka pasur legjitimitet.
“Kur s’ke qeveri, s’ka legjitimitet me marrë pjesë dikush në dialog, prandaj s’ka pasur dialog. Problemi kryesor që e kam është se fajësia pse s’ka pasur dialog ka qenë Kosova. Domethënë, arsyeja pse s’ka pasur dialog është sepse Kosova ka qenë e paaftë t’i krijojë institucionet. Këto takimet që kanë qenë, takime sociale, me mbajtur shpirtin gjallë Sorensen-i në mandatin e tij, me biseduar me palët çka mendojnë, qysh është vizioni i tyre. Po tërësisht, domethënë, takime të papërfillshme. Sorensen-i edhe Kaja Kallas nuk e kanë provuar veten në dialogun Kosovë-Serbi. Domethënë, kjo iu pamundësua për shkak të zhvillimeve tona të brendshme”, thotë ai.
“Nuk mund të shohim ndonjë progres në kuptimin e hapave të rinj në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për faktin që nuk kemi pasur një qeveri e cila ka mandat të plotë, por kemi pasur një qeveri në detyrë. Në anën tjetër, trazirat politike në Serbi kanë qenë të vazhdueshme dhe nuk kanë lejuar vëmendje nga qeveria e Serbisë në procese siç është dialogu. Konsideroj se edhe BE-ja për këto dy arsye kryesore nuk është se ka ndërmarrë përpjekje për të pasur diçka konkrete në kuptim të dialogut… Ajo çka është e rëndësishme të bëhet në kuptim të dialogut Kosovë-Serbi është të kemi implementim të plotë të marrëveshjeve të kaluara. Gjithashtu të kemi zbardhje të plotë edhe vënien para drejtësisë për të gjithë ata që kanë qenë përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë. Marrëveshja e Ohrit është shkelur fillimisht me lobimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe pastaj me sulmin terrorist në Banjskë. Për të njëjtin nuk kemi vënë para drejtësisë ose ndihmesë për vënien e tyre para drejtësisë as nga pala serbe”, thekson ajo.
Ndërkohë dje, kryeministri nw detyrw Albin Kurti ka thwnw nw njw intervistw pwr KosovaPress se për të vazhduar dialogu duhet që kryeterroristi Milan Radoiçiq t’u dorëzohet organeve të sigurisë në Kosovë.
KosovaPress ka dërguar pyetje edhe Bashkimin Evropian për të ardhmen e dialogut, mirëpo nuk ka marrw përgjigje.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor. Në bazë të rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 49 për qind dhe e njëjta pritet të formojë qeveri në koalicion vetëm me komunitet jo-shumicë.
Gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, Kosova dhe Serbia zhvilluan një sërë takimesh në nivel të liderëve si dhe në atë të kryenegociatorëve, mirëpo palët nuk u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes.
Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë ndonjë hap për zbatimin e tij. Me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar që drafti i BE-së të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, Qeveria ka thënë se ai draft është një dokument “non paper” dhe si i tillë nuk do të dërgohet në Kushtetuese.