Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) do të zhvillojnë më 11 maj një takim të përbashkët me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.
Diskutimi mes 27 shefave të diplomacisë evropiane dhe gjashtë ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit do të shërbejë si nxitje për vazhdimin e diskutimeve mbi situatën në rajon, të cilat do të mbahen po atë ditë, vetëm në nivel të ministrave evropianë.
Diplomatë evropianë të përfshirë në përgatitjet e takimit kanë paralajmëruar se fokusi i diskutimit mes ministrave evropianë dhe homologëve të tyre nga rajoni do të jetë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit, rritja e qëndrueshmërisë së shteteve të Ballkanit Perëndimor ndaj ndikimeve të jashtme negative, harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe sanksionet, si dhe marrëdhëniet ndërmjet vetë vendeve të rajonit.
Në këtë drejtim, zyrtarë të njohur me përgatitjet e takimit kanë theksuar se ndër temat që Brukseli dëshiron t’i mbajë në fokus do të jetë edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto burime paralajmërojnë se zyrtarët e Brukselit nuk janë të kënaqur me dinamikën e procesit.Ky zyrtar konfirmoi gatishmërinë e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, që, siç tha ai, “ta luajë rolin e saj” në këtë proces.
Megjithatë, diplomatët në Bruksel paralajmërojnë se, pavarësisht gatishmërisë së saj për të thirrur një rund të ri dialogu në nivel liderësh, situata e brendshme në Kosovë e vështirëson realizimin e këtij qëllimi për shkak të cikleve të vazhdueshme zgjedhore në vend, gjë që reflektohet drejtpërdrejt edhe në vetë procesin e dialogut.
Në Serbi, që nga nëntori i vitit 2024 po mbahen protesta pas shembjes së strehës mbi hyrjen e stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 qytetarë.
Në Kosovë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025, ndërsa zgjedhjet e reja janë caktuar për 7 qershor.